Lajmet e fundit
Deputetët Pajaziti dhe Rashiq folën në Seminarin Rose-Roth, në Beograd
E Enjte, 02.04.2015
Në vazhdimin e Seminarit Rose-Roth organizuar në Beograd nga Asambleja Parlamentare e NATO-së, është diskutuar tema "Dialogu i Brukselit mes Beogradit dhe Prishtinës: Rruga Përpara".
Në panel pjesëmarrës ishin Marko Djuriq- drejtor i Zyrës për Kosovë në Serbi -, Dushan Janjiq - hulumtues, Qendra për Hulumtime Sociologjike, Instituti i Shkencave Sociale, Universiteti i Beogradit - dhe Krenar Gashi - studiues në Qendrën për Studime Evropiane, Universiteti i Ghent, drejtor themelues i Institutit për Zhvillim të Politikave (INDEP).
Pas fjalimeve të panelistëve, deputetët e Kuvendi të Kosovës patën mundësinë të flasin rreth kësaj teme.
Deputeti Zenun Pajaziti theksoi se Kosova dhe Serbia mbi të gjitha janë bindur që dialogu është e vetmja rrugë për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në faza të ndryshme ka demonstruar që marrëveshjet janë të mundshme edhe pse implementimi nuk është garantuar ose në disa raste është implementuar me shumë vështirësi .Po ashtu deputeti Pajaziti në fjalimin e tij foli rreth implementimit të suksesshëm të pikave të marrëveshjes dhe ngecjeve në fushat më kritik,e duke përshirë çarmatimin e strukturave paralele në Kosovë, telekomunikimin, barrikadën e parkut të ashtuquajtur "Parku i Paqes" dhe sigurimin e veturave.
Në lidhje me pagesat në pikat kufitare për qytetarët, duke përfshirë edhe qytetarët nga komuniteti serb, deputeti Nenad Rashiq shtroi pyetje lidhur me implementimin e marrëveshjes së Brukselit në këtë pikë. Duke pas parasysh numrin e të papunësuarve në Kosovë, taksa prej 120 euro është tepër e lartë, vërejti ai.
Në përgjigjen e tij Marko Gjuriq tha se po punohet për këtë çështje dhe se është e rëndësime që qytetarët të mos preken nga kjo, duke u shprehur i bindur se dhe për këtë do të gjendet një zgjedhje.
Po ashtu deputeti Nenad Rashiq foli rreth pronave të komunitetit Serb dhe tokat e punueshme bujqësore, të cilat po zvogëlohen përditë e më shumë.
Marko Djuriq theksoi se NATO dhe prezenca e ndërkombëtare është faktor kryesor për stabilitetin në Kosovë dhe vetëm ajo mund të sigurojë paqen jetën e qytetarëve serbë në Kosovë. Prandaj NATO duhet të vazhdojë t'i mbajë edhe për shumë kohë trupat në Kosovë, ka thënë Gjuriq.
Dusan Janjiq theksoi se, duke pasur parasysh të gjitha sfidat për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, qytetarët nuk janë informuar sa duhet nga qeveritë e tyre lidhur me detajet për marrëveshjet, ngecjet dhe problemet. Por, në fakt, janë njoftuar vetëm në baza të përgjithshme dhe kjo nuk është e arsyeshme. Ai po ashtu foli rreth fluksit të imigrantëve të Kosovës në muajt e fundit drejt Evropës dhe numrit të madh të papunëve.
Krenar Gashi, si përfaqësues i Kosovës në panel, më shumë u fokusua në aspektin akademik dhe të integrimit të dy vendeve në BE, duke theksuar të arriturat e Kosovës në këtë aspekt.