Lajmet e fundit

Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit

E Enjte, 02.04.2015




Në vazhdimin e mbledhjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës, (filluar më 26 mars) të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetët fillimisht mbajtën një minutë heshtje me rastin e vdekjes tragjike të deputetit të Listës serbe, Velimir Rakiq.
Gjatë kësaj mbledhje, Kuvendi votoi për rekomandimet nga debati parlamentar për punën dhe funksionimin e Radiotelevizionit të Kosovës.
Propozim-rekomandimet e harmonizuara nga grupet parlamentare, i prezantoi Shqipe Pantina.
Me këtë rast, deputetët miratuan këto rekomandime:
1. Kuvendi i Republikës së Kosovës i rekomandon Auditorit të Përgjithshëm që të bëjë një auditim të detajuar rreth menaxhimit financiar të RTK-së.
2. Së bashku me shqyrtimin e raportit vjetor të RTK-së, të shqyrtohet edhe raporti i përfomancës dhe raportet financiare të RTK-së, të hartuara nga Auditori i Përgjithshëm.
Pas shqyrtimit të raportit dhe bazuar në të gjeturat e tij Kuvendi do t'i ndërmarrë vendimet siç përcaktohen me ligjet në fuqi, duke mos përjashtuar edhe krijimin e një komisioni hetimor parlamentar për RTK-në.
3. Të zbatohet ligji për RTK-në për përfaqësimin e programit për komunitetet joshumicë, joserbe.
4. Kuvendi i Republikës së Kosovës, si organ themelues i RTK-së, i kërkon bordit të RTK-së, si organi më i lartë mbikëqyrës që urgjentisht të adresojë të gjitha problemet e ngritura në Kuvendin e Kosovës.
Bordi i RTK-së, në veçanti duhet të shqyrtojë largimin nga puna të kryetarit dhe nënkryetarit të Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore, e për këtë ta njoftojë Kuvendin deri më 15 prill 2015.
Në vijim të mbledhjes, Kuvendi, pas procedurës me votim të fshehtë, pas tri raundeve të votimit, nuk ka zgjedhur Avokatin e Popullit, meqë asnjëri nga kandidatët e propozuar nuk morën votat e mjaftueshme për këtë pozitë. Ndërkaq, u sqarua se konkursi për Avokatin e Popullit përsëritet.
Po ashtu, Kuvendi nuk emëroi Mazllum Baraliun, anëtar të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës, meqë shumica e votave të deputetëve ishin kundër.