Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Bujqësi...

E Mërkure, 01.04.2015




Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Fikrim Damka, vendosi që Kuvendit t'ia propozojë një kandidat për kryesues të komisionit shqyrtues në Zyrën e Rregullatorit për Ujësjellës dhe Kanalizim.

Anëtarët e komisionit këtë vendim e morën pas raportit të panelit intervistues, i cili kandidatin e propozuar e ka vlerësuar me më së shumti pikë.
Në këtë mbledhje, ndonëse ka qenë e paraparë të diskutohet edhe për importin e grurit, kjo nuk ndodhi për shkak të mosprezencës në komision të ministrit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR).

Ministri i kësaj ministrie, Memli Krasniqi, ndërkaq, mosparaqitjen e tij në komision e ka arsyetuar përmes një shkrese. Në shkresën e tij drejtuar komisionit, ministri Krasniqi, po ashtu kishte sqaruar se ministria që ai udhëheqë nuk është kompetente për çështjet që lidhen me cilësinë e ushqimit.

Anëtarët e komisionit, ndërkaq, vlerësuan se MBPZHR-ja është përgjegjëse për krijimin e politikave, ndërsa mosparaqitjen e ministrit në mbledhje të komisionit dhe qëndrimin e tij të shfaqur përmes kësaj letre, e vlerësuan si të papërgjegjshëm.

 

Mbledhja e Komisionit për Bujqësi...