Lajmet e fundit

Kryetari Veseli priti një delegacion nga Rumania

E Marte, 31.03.2015




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim një delegacion nga Rumania, në përbërje të të cilit ishin parlamentarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe zyrtarë të qeverisë rumune, ndërsa kryesohej nga znj. Gabriela Cretu, senatore në Senatin rumun nga Partia Social Demokrate dhe njëherësh anëtare e Komisionit për Çështje Evropiane.

Takime të tilla që i kontribuojnë komunikimit të ndërsjellë, kryetari Veseli i konsideroi të dobishme që institucionet e shtetit rumun dhe publiku i gjerë rumun të njihen me realitetin kosovar dhe të binden se njohja e shtetit të Kosovës nuk ka asnjë efekt negativ në interesat e tyre nacionale.

Përkundrazi, shteti i Kosovës vetëm sa e ka fuqizuar paqen dhe stabilitetin rajonal. Njohja e shtetit të Kosovës nga Rumania vetëm sa do t'i bënte edhe më të qëndrueshme këto vlera të përbashkëta.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës kërkoi nga delegacioni rumun mbështetjen e institucioneve rumune që Kosova të jetë pjesëmarrëse e nismave rajonale politike dhe ekonomike.

"Njëra prej tyre është Asambleja Parlamentare e Procesit të Kooperimit në Evropën Juglindore (SEECP), në të cilën, gjatë kësaj pranvere, ne presim të bëhemi anëtarë të plotë. Gjithëpërfshirja është kushti i një bashkëpunimi të frytshëm, për të cilin ka aq shumë nevojë i gjithë rajoni ynë", vlerësoi kryetari Veseli.
Në takim ishin të pranishëm edhe disa nga anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe atij për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës.

 

 

Kryetari Veseli priti një delegacion nga Rumania_4Kryetari Veseli priti një delegacion nga Rumania_3Kryetari Veseli priti një delegacion nga Rumania_2Kryetari Veseli priti një delegacion nga Rumania_1