Lajmet e fundit
Kryetari Veseli mbajti fjalën hyrëse në tryezën lidhur me gjendjen e fundit të fëmijëve, grave dhe burrave në Kosovë
E Marte, 31.03.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori sot pjesë dhe mbajti fjalën hyrëse në tryezën lidhur me gjendjen e fundit të fëmijëve, grave dhe burrave në Kosovë, e organizuar në bashkëpunim me UNICEF-in.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari Veseli tha se të drejtat e njeriut janë standardi kryesor moral dhe ligjor mbi të cilin shoqëritë bashkëkohore e matin zhvillimin dhe mirëqenien e tyre. Në kuadër të këtyre të drejtave, tha në vazhdim kryetari i Kuvendit, të drejtat e fëmijëve përbëjnë pjesën më sensitive dhe thelbësore të vet standardit të shoqërisë. Kryetari Veseli theksoi se fëmijët janë kategoria më e ndjeshme e shoqërisë, prandaj fytyra e vërtetë e një shoqërie shihet pikërisht në mënyrën se si ajo i trajton fëmijët e saj, në çerdhe, familje, shkolla dhe ambiente tjera sociale.
Të drejtat e fëmijëve, shtoi kryetari Veseli, janë kategori kushtetuese në Republikën e Kosovës dhe ka një mori ligjesh që përfshijnë amendamente që u referohen mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Ligji për familjen është një prej tyre.
"Por, e tërë kjo gjithsesi është e pamjaftueshme. Dokumentet janë letra të vdekura, nëse gjëra në terren nuk lëvizin. Realiteti konkret social, në shumë raste, nuk flet me gjuhën e ligjeve. Mungesa e zhvillimit ekonomik po peshon shumë rëndë në jetën e fëmijëve kosovarë. Të ardhurat e pakta, papunësia kronike, janë shkaktari kryesor i rënies së standardeve në kujdesin ndaj fëmijëve brenda familjes. Kjo pastaj reflektohet edhe në nivelin e edukimit shkollor dhe kujdesin shëndetësor", tha kreu i Kuvendit, ndërsa shtoi se nuk duhet mbyllur sytë para faktit se janë të shumtë në Kosovë fëmijët që kalojnë një fëmijëri të privuar nga ëndrrat fëmijërore për shkak të varfërisë. Shumë të tjerë, shtoi Veseli, janë të detyruar të bëjnë punë të ndryshme për të mbajtur familjet e tyre. Kreu i Kuvendit tha se pasojat janë afatgjate, sepse një fëmijëri e privuar nënkupton një të ardhme të pasigurtë për familjet dhe vendin në përgjithësi.
"Që nga fillimi i punës time në krye të Kuvendit, kam insistuar në idenë që fokusi ynë kryesor institucional duhet të jetë agjenda ekonomike. Paketa e ligjeve ekonomike duhet rishikuar në mënyrë që zhvillimit ekonomik ti hiqen barrierat ligjore dhe në këtë mënyrë të stimulohet ky zhvillim. Kjo është rruga e vetme që të ndërtojmë një shoqëri të mirëqenies. Një shoqëri ku fëmijët rriten të lumtur dhe me ndjenjën e krenarisë për prindërit e tyre dhe vendin e tyre", tha ndër të tjera në fjalën e tij kryeparlamentari Veseli.
Në vazhdim, në tryezë foli kryesuesja e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Laila Omar Gad, kryeshefi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Isa Krasniqi, ndërsa prezantimin e rezultateve nga mbledhja e të dhënave, e bëri përfaqësuesi i UNICEF-it, Agron Gashi.
Në tryezë, me diskutimet e tyre kontribuuan edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe të pranishëm të tjerë.