Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së
E Hënë, 30.03.2015
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i komisionit Daut Haradinaj, u diskutua lidhur me realizimin e planit të punës, për tremujorin e parë të këtij viti.
Duke numëruar disa nga aktivitetet e planifikuara në planin e punës së komisionit gjatë kësaj periudhe, të cilat tashmë janë përmbyllur, kryetari i Komisionit, Daut Haradinaj, veç tjerash vlerësoi lart punën dhe angazhimet e deritanishme të anëtarëve të komisionit.
Më tej, Komisioni diskutoi edhe lidhur me gjendjen e zjarrfikësve në Kosovë. Me këtë rast, u sqarua se Sindikata e Brigadave të Zjarrëfiksëve përmes një letre drejtuar Komisionit ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me gjendjen dhe kushtet në të cilat zhvillon punën kjo kategori.
Anëtarët e Komisionit gjatë diskutimit të tyre theksuan faktin se kjo çështje do të jetë prioritet i komisionit dhe se duhet të rregullohet statusi i tyre juridik dhe të përmirësohen kushtet e punës së kësaj kategorie. Ndërkaq, përmendën edhe çështjen e nivelizimit të koeficientëve në të gjitha komunat.
U theksua po ashtu se duhet të kërkohet nga MPB-ja dhe Ministria e Financave që ta trajtojnë këtë kategori në mënyrë më serioze.
Gjatë këtij diskutimi u propozua se duhet të ndërmerret iniciativa parlamentare për hartimin e një ligji të veçantë për zjarrfikësit.
Komisioni u dakordua që fillimisht të ftohen në takim gjatë ditës së premte përfaqësuesit e Sindikatës së Zjarrfikësave, si dhe drejtori i Agjensionit për Menaxhimin e Emergjencave, Fadil Kodra, e më pas të vendoset për hapat e mëtejmë që duhet të ndërmarrë komisioni.