Lajmet e fundit
Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit
E Premte, 27.03.2015
Në vazhdimin e mbledhjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, u përkrah Raporti i Auditimit të sistemeve të Prokurimit në Sektorin Shëndetësor me rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike.
Më tej, Kuvendi, pas tri herë përsëritje të votimit, nuk emëroi Mazllum Baraliun, anëtar të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës, meqë nuk pati kuorum gjatë procedurës së votimit.
Deputetët, po ashtu nuk përkrahën as formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për Radio Televizionin e Kosovës.
Ndërkaq, votimi i rekomandimeve nga debati parlamentar për Radiotelevizionin e Kosovës, të cilat i prezantoi inicuesja e debatit, Shqipe Pantina, me shumicë votash, u shty për një mbledhje tjetër.
Edhe votimi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, është shtyrë për seancën e radhës, pas një dakordimi të anëtarëve të Kryesisë dhe Grupeve Parlamentare.
Kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti, njoftoi deputetët edhe për propozimin e grupeve parlamentare për zëvendësimin e anëtarëve nëpër komisione parlamentare.
Me këtë rast, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka propozuar deputeten Melihate Tërmkolli, anëtare në Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së, ndërkaq Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka propozuar deputetin Ilir Deda, anëtar në Komisionin për Buxhet dhe Financa.