Lajmet e fundit
Nga seanca plenare e Kuvendit të Kosovës
E Premte, 27.03.2015
Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, të drejtuar nga z. Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit, kyeministri i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa është paraqitur në interpelancë lidhur me përgjegjësinë kushtetuese të Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale, sipas kërkesës së GP të Vetëvendosjes.
Kryeparlamentari Veseli që në fillim të seancës deputetëve ua ka përkujtuar rregullat për interpelancë (sipas Rregullores së Kuvendit), radhën e fjalës, si dhe kohen për që u takon grupeve parlamentares sipas fuqisë numerike që kanë në Kuvend.
Duke e marrë fjalën në emër të subjektit që e ka kërkuar interpelancës, kryetari i GP Vetëvendosje!, Glauk Konjufca, fillimisht ka përvijuar gjithë parahistorikun Gjykatës Speciale për Kosovën që nga dhjetori i vitit 2010 kur deputeti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty, ka publikuar një raport 30 faqesh në të cilin pretendohej për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullsisë civile nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës në Kosovë. "Në këtë raport implikohet përgjegjësia e udhëheqësve më të lartë të UÇK-së, madje duke e fokusuar këtë përgjegjësi edhe tek anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së" ka theksuar Konjufca, duke përkujtuar se një muaj më pas, (në janar të vitit 2011), raporti në fjalë u shndërrua në Rezolutë të Këshillit të Evropës. Ai tutje ka sqaruar se Raporti i Martyt mori nxitje nga spekulimet e ish kryeprokurores së Gjyqit të Hagës, Carla del Ponte dhe dyshimeve të ngritura në librin e saj të vitit 2008, pretendime këto që u shtynë përpara nga aleati kryesor gjeopolitik i Serbisë, Rusia, në Dumën e së cilës kërkohej përndjekja e UÇK-së për trafikim të organeve. "Është e habitshme dhe po aq zhgënjyese se si një propagandë kaq e qartë kundër UÇK-së me kaq lehtësi u pranua si fakt i kryer nga miqtë tanë të proklamuar ndërkombëtarë", ka thënë Konjufca, duke pohuar se në emër të këtyre pretendimeve u ngritën struktura ndërkombëtare që ende funksionojnë në kuadër të misionit të BE-së në Kosovë. Në emër të këtij raporti zhvilloi hetime ekskluzive për këto pretendimet të ngritura. "Kjo më në fund u kurorëzua me letërkëmbimin në mes të Presidentes së Kosovës, znj. Jahjaga dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Punë të Jashtme atëbotë, Baroneshës Ashton, që u ratifikua në Kuvend dhe që paraqet bazën e vullnetit për themelimin e Gjykatës Speciale, duke e vlerësuar të mjerë këtë praktikë politike.
Tutje kreu i GP të VV-së pohon se përmes Gjykatës Speciale integriteti i autonomisë së sistemit tonë të drejtësisë cenohet së paku në 5 nivele fundamentale: në nivelin e Gjykatës Themelore, në nivelin e Gjykatës së Apelit, në nivelin e Gjykatës Supreme, në nivelin e Gjykatës Kushtetuese si dhe në nivelin e Ombudspersonit, duke krijuar paralelizëm të plotë institucional. "Gënjeshtra dhe mashtrimi, që synon rrënimin e vlerave tona nacionale, duhet të luftohen pa mëshirë", ka përfunduar Konjufca.
Duke u paraqitur në interpelancë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kryeministri Isa Mustafa, ka thënë se Veprimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, lidhur me propozimin e bazës ligjore dhe kushtetuese për themelimin e Dhomave të Specializuara të Gjykatës dhe Prokurorisë, mbështeten në letrat e shkëmbyera në mes të Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baroneshës Catherine ASHTON. Ky letërkëmbim u ratifikua nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, me Ligjin Nr.04/L-274, të datës 23 Prill 2014, për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, ka theksuar kreu i Qeverisë. "Ligji në fjalë ishte miratuar me mbi 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga i cili buron edhe detyrimi kushtetues i Qeverisë së Republikës së Kosovës për ta zbatuar në tërësi këtë Ligj, ashtu siç parashihet në nenin 92, pika 3 e Kushtetutës së Republikës së Kosovës" ka thënë Mustafa.
Ai tutje ka pohuar se Qeveria beson se krijimi i Dhomave të Specializuara të Gjykatës dhe Prokurorisë, nuk cenon pavarësinë kushtetuese të pushtetit gjyqësor dhe në këtë drejtim tashmë janë proceduar draft-amendamentet kushtetuese në Kryesi të Kuvendit, nga ku janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese për të marrë opinionin lidhur me përshtatshmërinë kushtetuese të këtyre amendamenteve, të cilin vendim është zotuar se do ta respektojë në plotni.
Qeveria e Republikës së Kosovës e konsideron themelimin e Dhomave të Specializuara të Gjykatës dhe Prokurorisë si një veprim jo të lehtë, por tani të domosdoshëm, sepse përmes kësaj ne tregojmë gatishmërinë tonë për të zbatuar drejtësinë.
"Nuk kemi informata për numrin e atyre dhe as kush janë ata që do të akuzohen", ka thënë kryeministri Mustafa, duke u shprehur i bindur se në asnjë rast nuk do të vihet në dyshim lufta çlirimtare të UÇK-së. " Sjellja e individëve që kanë mundur të bëjnë krime nuk mund të identifikohet me pastërtinë e luftës së drejtë të UÇK-së, ka thënë Mustafa duke i garantuar deputetët se themelimi i Dhomave të Veçanta nuk cenon sistemin e drejtësisë në Kosovë. Mustafa është zotuar se do të respektohen në maksimum të drejtat dhe liritë e atyre që do të akuzohen. Prandaj kryeministri i ka ftuar deputetët që t'i mos i përkrahin rekomandimet për këtë interpelancë të propozuara nga Vetëvendosje.
Në vazhdim fjalën e ka marrë zv.kryeministi, Hashim Thaçi, i cili duke përkujtuar luftën çlirimtare të Kosovës, ka pohuar se bombardimet e NATO-s ngjallnin shpresat e qytetarëve se liria nuk do të vononte. Ai i ka garantuar deputetët se e kaluara jonë nuk do të gjykohet dhe se lufta e shenjtë për liri nuk do të gjykohet. Thaçi ka thënë se e ardhmja e Kosovë do të jetë e mjegullt nëse nuk veprohet ashtu qysh është kërkuar për themelimin e Gjykatës. Ai ka tërhequr vëmendjen se alternativa tjetër - themelimi i Gjykatës Speciale nga OKB'ja - është shumë e dhimbshme dhe e dëmshme", duke pohuar se armiqtë e Kosovës do ta dëshironin një gjë të tillë.
Duke e marrë fjalën në emër të GP të PDK-së, Elmi Reçica ka prezantuar para deputetëve një Rezolutë , me tekst relativisht të gjatë, lidhur me luftën Çlirimtare të Kosovës dhe Dhomat e Gjykatës Speciale, të cilën edhe e ka lexuar para deputetëve. Ka reaguar kreu i GP të VV-së, Glauk Konjufca, i cili ka tërhequr vëmendjen se mund të bëhen propozime për plotësim të rekomandimeve të VV-së dhe të harmonizohen qëndrimet, por jo të bëhen rezoluta e rekomandime paralele.
Shefi i GP të LDK-së, Ismet Beqiri, është shprehur se deputetët e këtij grupi e kuptojnë mirë ndjeshmërinë e themelimit të kësaj gjykate, por është shprehur i bindur se ajo nuk do ta vë në dyshim luftën çlirimtare të Kosovës. "Qytetarë e Kosovës luftuan dhe sakrifikuan për lirinë e vendit", ka theksuar Beqiri, i cili i ka dhënë mbështetje të plotë fjalës së kryeministrit Mustafa në interpelancën e sotme, duke mbajtur qëndrim se nuk duhen votuar rekomandimet e kërkuesit të interpelancës.
Duke e marrë fjalën në emër të Vetëvendosjes, kryetari i këtij subjekti,Visar Ymeri, ka spikatur se Kosova ka nevojë për drejtësi të zakonshme, e jo për padrejtësi speciale. "Kur u shpall pavarësia e Kosovës, na thanë se ajo është sui generis. Pra, njëfarë pavarësie speciale, tejet e veçantë, e paparë dhe e papërsëritshme. Shtatë vjet më vonë po përfundojmë me një Gjykatë Speciale, apo dhoma të specializuara siç po quhen tash, me një Gjykatë të Veçantë, tejet të veçantë, sërish të paparë dhe të papërsëritshme", ka thënë Ymeri.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke pohuar se ka marrë pjesë në disa takime fillestare në të cilat diskutohej nevoja e krijimit të një paneli për shqyrtimin në vend të krimeve eventuale nga pjesëtarë të UÇK-së, ka theksuar se çështja ka devijuar larg nga synimet fillestare. Ai ka vlerësuar se tashmë është krijuar një sistem i ri dhe shumë i dëmshëm për Kosovën. Pasojat e këtij "lavazhi" do të jenë tepër të rënda për Kosovën, ka thënë Haradinaj, i cili për këtë e ka akuzuar ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi. " Ju nuk po e pastroni Kosovën nga krimi, por po ia jepni një UNMIK të ri vendit", ka thënë kreu i AAK-së, pas fjalimit të të cilit janë këmbyer disa replika ndërmjet tij dhe ministrit Kuçi. Në këtë temë e ka marrë fjalën dhe zv.kryeministri, Kujtim Shala, i cili ka pohuar se gjatë bisedave të krijimit të koalicionit VLAN, AAK-ja, për dalim nga VV dhe Nisma, e kishte pranuar krijimin e Gjykatës.
Kryetarja e GP NISMA, Valdete Bajrami, ia ka përkujtuar kryeministrit angazhimin e hershëm të tij për ç'kapjen e shtetit nga e keqja, i cili ka përfunduar me bashkimin me PDK-në, duke i dhanë fund shpresës së qytetarëve për një jetë ndryshe."Si të presim ne, por sidomos qytetarët nga ju, që tash po kërkoni dhe po o të veprojë drejt dhe se ajo po bëhet në të mirë të vendit", ka theksuar Bajrami, e cila këtë gjykatë e ka parë të panovojshme pasi që krimet e luftës i ka hetuar dhe i ka gjykuar faktori ndërkombëtarë, njëherë UNMIK-u pastaj EULEX-i.
Qerim Bajrami, ndërkaq në emër të GP 6+ e ka përkrahur fjalën e kryeministrit në këtë interpelancë, duke e vlerësuar të rëndësishme kooperativitetin e Kosovës me faktorët ndërkombëtarë edhe në lëmin e drejtësisë. Pas debatit të gjatë të deputetëve pas interpelancës dhe shprehjes së qëndrimeve kryesisht konform atyre të krerëve të subjekteve të tyre, fjalën e kanë marrë edhe një herë kryeministri Mstafa dhe kreu i GP të VV-së, Konjufca, të cilët, duke marrë shkas nga diskutimet e shumta, vetëm sa i kanë përforcuar qëndrimet e tyre fillestare. "Askush nuk do ta dëshironte Gjykatën Speciale jashtë vendit", ka thënë Mustafa, i cili ka thënë se nëse ka pasur krime duhet të identifikohen individët që i kanë kryer dhe të merren masa ligjore ndaj tyre. Konjufca, ndërkaq , duke ia përkujtuar koalicionit qeverisës participimin e gjatë herë bashkë e herë ndaras në pushtet u ka thënë se duhet të marrin përgjegjësinë për dështimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Rekomandimet e VV-së nuk kanë marrë votat e nevojshme në Kuvend Për kanë votuar 22 deputetë, 37 kanë qenë kundër, kurse dy kanë abstenuar. Rezoluta e propozuar nga GP i PDK-së, ndërkaq, për mungesë kuorumi nuk është nxjerrë në votim.