Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
E Enjte, 26.03.2015
Mbledhja e sotme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar (një pjesë të saj e kryesoi nënkryetari Xhavit Haliti), filloi me pikën e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës, ndërsa në pyetjet e deputetëve u përgjigjën ministrat: Edita Tahiri, Arban Abrashi, Kujtim Shala, Memli Krasniqi, Avdullah Hoti, Mahir Yagcilar dhe Imet Rrahmani.
Në vijim të mbledhjes, deputetët shqyrtuan Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me Projektin për Efiçiencën e Energjisë dhe Energjinë e Ripërtëritshme, si dhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin për reformën shëndetësore, të cilat i prezantoi ministri i Financave, Avdullah Hoti, ndërkaq, raportet me rekomandime i paraqiti Naser Osmani, kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, duke kërkuar mbështetje për këto marrëveshje dhe për rekomandimin e Komisionit parlamentar për buxhet.
Pas deklarimeve të grupeve parlamentare, të cilët shprehën qëndrimet e tyre pro mbështetjes së këtyre marrëveshjeve, deputetët miratuan ratifikimin e këtyre dy marrëveshjeve.
Deputetët me shumicë votash vendosën që votimi për Avokatin e Popullit të shtyhet për ditën e nesërme, pas propozimit të Grupit Parlamentar të PDK-së, ndërkaq opozita kërkoi që kjo çështje të përfundojë gjatë mbledhjes së sotme.
Tutje, deputetët shqyrtuan edhe rekomandimin e Komisionit të posaçëm për zgjedhjen e një gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Me votim të fshehtë të deputetëve, Bekim Sejdiu është zgjedhur gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, ndërkaq i propozohet Presidentës së Kosovës për emërimim e tij në Gjykatën Kushtetuese.
Pas pauzës së deputetëve, Kuvendi vijoi me shqyrtimin e Raportit të Auditimit të sistemeve të Prokurimit në Sektorin shëndetësor. Me këtë rast, seanca u kryesua fillimisht nga nënkryetari Xhavit Haliti, e më pastaj nga nënkryetari Sabri Hamiti.
Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, Besnik Bislimi, duke shfaqur shqetësimin e tij për gjendjen në sektorin e shëndetësisë dhe për të gjeturat në këtë sektor nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, paraqiti rekomandimet e komisionit.
Me këtë rast, u kërkua nga MSH-ja që në afat prej tre muajsh të hartojnë strategjinë gjithëpërfshirëse të prokurimit për sektorin e shëndetësisë, si dhe u kërkua që kjo ministri të sigurojë që rekomandimet e auditimit të brendshëm dhe të jashtëm të jenë adresuar në mënyrë efektive për të parandaluar përsëritjen e tyre nga viti në vit dhe për këtë të përgatisë një raport me shkrim për Komisionin.
Pasi u paraqitën disa rekomandime në mënyrë që përfomanca e mëtejme e sektorit të sistemit informativ shëndetësor të përmirësohet, u kërkua më shumë transparencë nga MSH-ja.
Duke folur në emër të grupeve parlamentare, Naim Fetahu (PDK), Hatim Baxhaku (LDK), Besa Baftija (Vetëvendosje), Bali Muharremaj (AAK), Duda Balje (6+), Enver Hoti (Nisma) shprehën qëndrimet pro rekomandimeve të komisionit, duke propozuar edhe disa sosh.
Deputetët shqyrtuan edhe propozimin për emërimin e Mazllum Baraliut, anëtar të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës. Përfaqësues të grupeve parlamentare (PDK,LDK,AAK, VV dhe Nisma) mbështetën këtë propozim, ndërkaq, Fikrim Damka në emër të Grupit Parlamentar 6+ paraqiti qëndrimin kundër këtij propozimi.
Në vijim të mbledhjes, Kuvendi diskutoi lidhur me kërkesën e Grupit Parlamentar të AAK-së për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për Radio Televizionin e Kosovës.
Donika Kadaj-Bujupi, shefe e Grupit Parlamentar të AAK-së fillimisht shfaqi shqetësimin e saj lidhur me largimin nga puna të kreut të sindikatës së RTK-së, Fadil Hoxha dhe zëvendësit të tij, Arsim Halili, duke e quajtur këtë vendim arbitrar. Ajo vlerësoi se politika duhet të qëndrojë larg mediave dhe se Kuvendi duhet të ndërhyjë për të parandaluar keqpërdorimet. "Është moment i fundit kur Kuvendi duhet të reagojë fuqishëm kundër të keqes në RTK, në mënyrë që të kemi informim të drejtë dhe të paanshëm", tha Kadaj-Bujupi, duke shtuar se Komisioni hetimor duhet të zbardhë dyshimet për keqpërdorime të parasë publike. Ajo tha se po shkelen parimet e etikës dhe medias së fjalës së lirë dhe se duhet të zbardhen dyshimet mbi keqpërdorimet financiare.
Duke kërkuar përkrahje për formimin e këtij komisioni hetimor, Kadaj, vlerësoi se ky komision duhet të ketë 9 anëtarë,ndërsa mandati i këtij komisioni do të jetë 3 muaj.
Ndërkaq, Zenun Pajaziti, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, theksoi se është kohë e përshtatshme që të shtohet mbikëqyrja parlamentare edhe ndaj RTK-së, duke përmendur faktin se tashmë është koha e rregullt e raportimit të RTK-së në Kuvend dhe se do të ketë një raport shtesë. Duke kërkuar që të bëhet trajtimi i raportit të rregullt të RTK-së, tha se pas këtij shqyrtimi mund të vendoset nëse është e nevojshme të procedohet me çështje tjera të mbikëqyrjes.
"T' i kemi raportet për çështjet financiare dhe vlerësimin e auditorit të jashtëm dhe raportin e ZAP-it për ta kompletuar pamjen e funksionimit të RTK-së. Çdo tendencë tjetër do të ishte presion ndaj një mediumi", tha Pajaziti.
Ali Sadriu, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, fillimisht theksoi se gjendja në RTK është alarmante. Me këtë rast, ai përmendi obligimin e RTK-së për prezantimin e raportit të përfomancës gjer më 31 mars. Ai sqaroi se ZAP-i ka bërë auditimin e përfomancës me konsulencë ndërkombëtare dhe është në fazën finale,ndërsa është premtuar se brenda muajit do të sillet raporti i auditimit të performances në Kuvend, raport sipas së cilit do të ketë të dhëna për Kuvendin për të parë gjendjen në RTK.
Glauk Konjufca, kryetar i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, tha fillimisht se është detyrë e deputetëve që të mbikëqyrin punën e RTK-së dhe mënyrën se si ky institucion përformon, meqë qytetarët paguajnë për këtë institucion, i cili financohet nga buxheti i vendit. Duke vlerësuar se në RTK ka ndërhyrje dhe kontroll politik, përmendi edhe raportet e ndryshme ndërkombëtare të cilat, sipas Konjufcës, ngrisin shqetësimin e një rritjeje të kontrollit politik, partiak mbi RTK-në.
Ndërsa, duke përmendur largimin e sindikalistëve të RTK-së, tha: "Ky akt është i papranueshëm i hakmarrjes së ulët, kundër zërit kritik. Ky është një degradim i transmetuesit publik, sa që kemi nevojë për një ndërhyje urgjente", tha Konjufca.
Ndërsa, Zafir Berisha, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Nismës, paraqiti qëndrimin pro formimit të këtij komisioni. "Jemi pro komisionit hetimor për të hulumtuar mbi dyshimet e bazuara rreth keqpërdorimeve që po flitet", tha Berisha.
Një debat i veçantë parlamentar për RTK-në është zhvilluar në pikën e radhës së rendit të ditës së kësaj mbledhje, sipas kërkesës së deputetes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina, lidhur me punën dhe funksionimin e RTK-së.
Pantina, si inicuese e çështjes, tha se nuk janë në dijeni saktësisht sa është buxheti total i RTK-së dhe se si shpenzohet ky buxhet. Ajo mes tjerash kritikoi edhe vendimet e bordit të RTK-së, sipas së cilës nuk janë bërë publike.
"Nuk kemi parë asnjë vendim të bordit, se si ka vendosur ai për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm, ngase nuk ka pasur kuorum për vendime", tha Pantina duke e quajtur këtë vendim të jashtëligjshëm, ndërkaq kritikoi edhe emisionet e paguara nga RTK, duke kërkuar që Kuvendi të merret seriozisht me këtë institucion. "Drejtuesit e RTK-së të thirren në përgjegjesi dhe të merren masa ndaj tyre për të shpëtuar këtë institucion nga shkatërrimi", tha Pantina.
Zenun Pajaziti, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, përsëriti se i mbështet angazhimet që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen parlamentare. Ndërkaq, përmendi faktin se duhet rishikuar ligjin dhe gjetjen e mundësive të financimit të RTK-së. Po ashtu, ai përmendi edhe çështjen e pronës së RTK-së, si dhe të skadimit të disa anëtarëve të bordit.
Ndërkaq, Sadri Ferati, duke folur në emër të Grupit Parlementar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, adresoi disa nga shqetësimet që lidhen me funksionimin e RTK-së. "LDK është e përkushtuar që ta ndihmojë RTK-në në përmbushjen e misionit të saj, në interes të publikut", tha Ferati, duke shtuar se presin që të kenë një RTK të digjitalizuar dhe se janë të përkushtuar që të zgjidhin problemin e financimit dhe të çështjes së pronës së RTK-së, ndërsa paraqiti shqetësimin e tij për largimin e kryesindikalistit të RTK-së.
Duke theksuar faktin se duhet kërkuar sqarime rreth borxheve të RTK-së, numrit të të punësuarve, për emisionet e jashtme, etj, Ferati theksoi se duhet të bëhet auditimi i përgjithshëm i pasqyrave financiare dhe i përfomancës së RTK-së në një afat sa më të shpejtë. "Kuvendi të shyqyrtojë edhe raportin e auditimit dhe të propozojë rekomandime, me qëllim që të krijohen parakushtet për stabilizimin e RTK-së për të përmbushur misionin e saj në interes të qytetarëve", tha Ferati.
Ndërsa, Pal Lekaj, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, tha se ky debat duhet të sjellë rekomandime në mënyrë që të kontribuohet në favor të një zhvillimi të mediumit. "Është e vërtetë se ka keqmenaxhim, keqtrajtim të gazetarëve, punësim dhe familjarizëm dhe duhet të zhvishet nga petku partiak", tha Lekaj duke shfaqur po ashtu shqetësimin e tij për largimin e dy sindikalistëve të RTK-së. "Të zhveshemi nga petku partiak dhe të fillojmë me plotësim ndryshimin e ligjit të RTK-së. Të punojmë së bashku që të kemi një medium profesional që menxhon mirë", tha Lekaj.
Edhe Shukrije Bytyqi, në emër të Grupit Parlemntar "Nisma", duke ngritur një sërë shqetësimesh lidhur me këtë medium publik, tha se RTK njihet për shkelje të shumta ligjore, mungesë transparence dhe llogaridhënie. "Menaxhmenti i RTK-së asnjëherë nuk ka bërë transparente borxhet që i ka ky medium. Shpenzimet e parasë publike duhet të jenë transparente. RTK duhet t'i shërbejë popullit , ndërsa po ndodh e kundërta, është zëri i partive të caktuara politike dhe i përsonave të caktuar politik, ", tha Bytyqi, duke shprehur po ashtu shqetësimin e saj për largimin e sindikalistëve Hoxha e Halili.
Pas diskutimit të deputetëve të cilët ngritën çështje të ndryshme për funksionim e RTK-së, deputetja, Shqipe Pantina, kërkoi që rekomandimet e propozuara edhe nga deputetët tjerë të harmonizohen edhe me grupet tjera parlamentare, Meqë në mungesë kuorumi ato nuk mundën të votohen sot. Ajo kërkoi që gjatë mbledhjes së nesërme të paraqiten për votim.
Në mungesë kuorumi Kuvendi ndërpreu punimet, ndërsa mbledhja vazhdon gjatë ditës së nesërme, përkatësisht do të votohet edhe për Raportin e Auditimit të sistemeve të Prokurimit në Sektorin shëndetësor, emërimin e anëtarit të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës, si dhe kërkesën e Grupit Parlamentar të AAK-së, për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar.