Lajmet e fundit
Kryetari Veseli priti përfaqësuesit e Lidhjes së Pensionistëve
E Mërkure, 25.03.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim një delegacion të Lidhjes së organizatave ndërkomunale të pensionistëve dhe invalidëve të punës së Republikës së Kosovës, të kryesuar nga Shaban Kajtazi, kryetar i kësaj organizate.
Përfaqësuesit e pensionistëve shprehën shqetësimet e tyre lidhur me gjendjen e kësaj kategorie të shoqërisë dhe njëherësh kërkuan përkrahje ligjore, në funksion të përmirësimit të saj. Pensionistët theksuan edhe njëherë dëmin që u është shkaktuar nga grabitja e kontributeve të tyre nga ana e Serbisë dhe potencuan domosdoshmërinë e kthimit të tyre.
Kryetari Veseli mirëkuptoi kërkesat e drejta dhe të arsyeshme të pensionistëve e të invalidëve të punës, të cilët bartën mbi supet e tyre barrën e rëndë, por historike, të ndërtimit dhe zhvillimit të Kosovës në kohë dhe rrethana tejet të vështira. Përkitazi me Ligjin e skemës së re pensionale, të miratuar vitin që shkoi, por që po hasë në disa pengesa që lidhen me koston financiare, kryetari Veseli konfirmoi angazhimin e tij konform përgjegjësive kushtetuese që implementimi i tij të bëhet realitet.
"Pensionistët e Kosovës janë nënat dhe baballarët tanë, respektin ndaj të cilëve duhet ta kthejmë në jetë dinjitoze për ta", theksoi kryetari Veseli.