Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media

E Mërkure, 25.03.2015




Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, i kryesuar nga Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit, kishte sot një takim me përfaqësuesit e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, të kryesuar nga zëvendësministri i kësaj ministrie, Bajram Gecaj. Me këtë rast, z. Gecaj, para anëtarëve të Komisionit foli për planet, aktivitetet dhe sfidat me të cilat përballet Ministria. Duke folur për prioritetet e kësaj ministrie, z. Gecaj theksoi se avancimi i qeverisjes së mirë lokale, zbatimi konsekuent i ligjeve dhe performanca në punë janë synime thelbësore të Ministrisë. Po kështu, vëmendje e veçantë do t' kushtohet vlerësimit dhe hartimit të legjislacionit, në pajtim me legjislacionin e BE-së. Do të përcaktohen kufijtë e komunave, rritja e autonomisë financiare e tyre,mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve, avancimi i qeverisjes lokale, funksionalizimi i drejtorive komunale dhe ngritja e komunikimit ndërinstitucional. Do t' i kushtohet kujdes edhe bashkëpunimit ndërmjet komunave, bashkëpunimit ndërkufitar dhe ngritjes së cilësisë së shërbimeve komunale. Z. Gecaj tha se kjo ministri do të finalizojë edhe strategjinë për dhjetë vjetët e ardhshëm.

Në debatin që pasoi nga ana e deputetëve u shtruan shumë çështje dhe pyetje, si dhe u dhanë sugjerime të ndryshme. Në këtë frymë u bënë pyetje se a ka mangësi Ligji për qeverisje lokale, pastaj si veprohet në rastet kur vendimet e asambleve janë në kundërshtim me planet urbanistike, deri ku është arritur me emërimin e rrugëve,a është përfillur vendimi administrativ për formimin e drejtorive etj.

Zëvendësministri dhe bashkëpunëtorët e tij, në përgjigjet e tyre, theksuan se do të bëhet rishikimi i ligjeve, do të bëhet një studim i fizibilitetit të komunave,për të parë kriteret e formimit të komunave, duke pasur para sysh se janë bërë kërkesa për komuna të reja, pastaj do të shikohet si kanë funksionuar komunat e vogla që janë formuar mbi bazën e Planit të Ahtisarit etj. Ndërkaq, sa i përket çështjes së vendimeve urbane në kundërshtim me rregullativën u tha se ndërtimet e këtilla do të rrënohen. Përkitazi me emërtimet e rrugëve u tha se deri tash 28 komuna kanë kryer procesin e emërimit të tyre. Përkitazi me emrin e një rruge me emër të Sllobodan Millosheviqit, u tha se kryetari i Komunës së Ranillugut ka theksuar se emërtimi i rrugës me këtë emër është i papranueshëm. Përfaqësuesit e Ministrisë theksuan se janë edhe disa emra të tjerë të rrugëve të papranueshëm. Ndërkaq, kur është fjala për buxhetet e paaprovuara të disa komunave në veri për këtë vit, u tha se do të gjendet zgjidhje. Përkitazi me Ligjin për qeverisjen lokale, u tha se nga kjo ministri do të bëjë një analizë, mbi bazën e së cilës do të bëhen ndryshimet e nevojshme.

Në vijim,Komisioni ndërmori nismën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-046 për Radiotelevizionin e Kosovës. Me këtë ligj synohet zgjidhja e çështjes financiare të RTK-ës.

 

 

Mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe MediaMbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media