Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit

E Marte, 24.03.2015




Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, të kryesuar nga kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, u shqyrtua në parim Projektligji për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Kryetarja e Komisionit kundërshtoi miratimin e këtij projektligji dhe procedimin e tij në Kuvend, meqë sipas saj, nuk mund të bëhen ndryshime përmbajtësore dhe se ka implikime ligjore dhe kushtetuese. Ndërkaq, numëroi një sërë çështjesh, me theks të veçantë për përbërjen e bordit si dhe kopjet e regjistrit kadastral, duke theksuar se po tentohet të themelohet një agjensi, e cila do të jetë nën kontroll të plotë nga përfaqësuesi special i BE-së.


Me këtë rast, u paraqitën shqetësime të shumta edhe nga anëtarë të komisionit në disa dispozita të këtij projektligji, megjithatë shumica e anëtarëve të komisionit vlerësuan se gjatë amendamentimit projektligji mund të korigjohet.
Pas një diskutimi të gjerë të anëtarëve të komisionit lidhur me këtë projektligj, Projektligji për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, me shumicë votash u përkrah për procedim në seancë plenare.


Më tej, Komisioni ka shqyrtuar edhe propozimin e Odës së Avokatëve për emërimin e Ibrahim Dobrunës, anëtar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Me këtë rast, anëtarët e Komisionit u dakorduan që të kërkojnë më shumë propozime nga Oda e Avokatëve lidhur me këtë çështje.


Komisioni shqyrtoi edhe nismën e Komisionit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr.03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, që ka të bëjë me ndryshimin e nenit 30. Për këtë çështje, komisioni formoi grupin punues.

 

 

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit