Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
E Marte, 24.03.2015
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga, Muhamet Mustafa, kryetar i komisionit, shqyrtoi raportin me rekomandime për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike.
Kryetari i komisionit, Mustafa, fillimisht njoftoi se Projektligji është shqyrtuar dhe përkrahur edhe nga Komisioni për Legjislacion dhe ai për Integrime Evropiane, ndërkaq, kërkoi që amendament e propozuara (10 sosh), të përkrahen edhe nga komisioni që ai udhëheqë.
Pas shqyrtimit të amendamenteve, anëtarët e komisionit i përkrahën ato, përfshirë këtu edhe amendamentin 8, të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilin para komisionit e paraqiti deputeti, Visar Ymeri.
Pas kësaj, projektligji do të procedohet tutje për shqyrtim final në mbledhje plenare të Kuvendit.
Në vijim, komisioni diskutoi edhe për realizimin e Planit të Punës së Komisionit, për tre mujorin e parë të këtij viti.
Lidhur me këtë, anëtarët e komisionit, vlerësuan se në masën më të madhe është realizuar agjenda e paraparë, ndërsa u kërkua që të punohet në nismën legjislative për hartimin e Projektligjit për sigurinë e punës në miniera. Në kuadër të agjendës së tremujorit, komisioni vendosi që në javën e ardhshme të vizitojë korporatën energjetike, "KEK".