Lajmet e fundit

Kryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti një fjalë rasti në tryezën me temë: “Të drejtat pronësore dhe trashëgimia”

E Marte, 24.03.2015




Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Javës së Gruas në Kosovë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë sot në tryezën me temë: "Të drejtat pronësore dhe trashëgimia" dhe mbajti një fjalë rasti.

Para të pranishmeve, kryetari Veseli dha një pasqyrë të përfaqësimit të gruas në Kuvendin e Kosovës, ndërsa aktivitetin e grave deputete, të organizuara në grupin e tyre joformal, e konsideroi të një rëndësie të veçantë.

Duke folur për të drejtat pronësore të grave dhe trashëgiminë, kreu i Kuvendit të Kosovës konsideroi se kjo paraqet një nga barrierat në avancimin e barazisë gjinore në vendin tonë.

"Në vitin 2004 Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për trashëgiminë, me anë të të cilit përcaktohet qartë barazia gjinore në këtë fushë. Por edhe ky ligj, si shumë ligje të tjera, janë ndeshur me praktikën e hendekut në mes miratimit të ligjit dhe zbatimit të ligjit, apo zbatimit jo të plotë të tij", u shpreh kryetari Veseli, ndërsa garantoi mbështetjen dhe angazhimin e tij për avancimin e të drejtave të grave. Z. Veseli i inkurajoi ato që të vazhdojnë përpjekjet e tyre për avancimin e përfaqësimit sa më kualitativ të tyre dhe të mos ndalen së kërkuari të drejtat që u takojnë.

Kryetari i Kuvendit u ndal edhe në përpjekjet e grave për të fituar të drejtat e tyre nëpërmjet gjykatave, por, të cilat rezultojnë ta pasuksesshme. Mentaliteti patriarkal, shtoi z. Veseli, vazhdon të qëndrojë ulur kambëkryq nëpër gjykata.

Kryetari Veseli tha se një shoqëri që aspiron zhvillimin dhe integrimin evropian nuk mund të tolerojë që gjysma e saj të jetë e diskriminuar dhe në pamundësi për t'i realizuar të drejtat e saj kushtetuese dhe ligjore.

"Në duhet ta kemi të qartë se mohimi i të drejtave të pronësisë e trashëgimisë për gratë është mohim i vetë lirisë së tyre. Bota e zhvilluar prej kohësh e di se emancipimi i femrës është rruga e pashmangshme për emancipimin e të gjithë shoqërisë", tha ndër të tjera në fjalën e tij kryetari Veseli.

Tryeza u mbajt në Hotelin "Emerald" në Prishtinë dhe u organizua nga Instituti Demokratik Kombëtar. Përveç deputeteve të Kuvendit të Kosovës, të pranishme ishin edhe përfaqësuese të institucioneve të tjera vendore e ndërkombëtare, anëtare të kuvendeve komunale, përfaqësuese të organizatave të ndryshme të grave etj.

 

 

Kryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti një fjalë rasti në tryezën me temë: “Të drejtat pronësore dhe trashëgimia”Kryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti një fjalë rasti në tryezën me temë: “Të drejtat pronësore dhe trashëgimia”Kryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti një fjalë rasti në tryezën me temë: “Të drejtat pronësore dhe trashëgimia”Kryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti një fjalë rasti në tryezën me temë: “Të drejtat pronësore dhe trashëgimia”