Lajmet e fundit

Mbahet “ Java e Gruas”

E Hënë, 23.03.2015




Gjatë ditës së sotme ka nisur edicioni i IV-të i Javës së Gruas, aktivitet i cili mbahet që nga viti 2012 dhe që ka për qëllim fuqizimin e gruas në të gjithë sektorët e jetës.


Fillimisht, kryetarja e deritashme e Grupit të Grave Deputete, znj. Teuta Sahatqija, gjatë hapjes së edicionit të IV-të të Javës së Gruas duke falënderuar deputetet për kontributin e tyre dhënë në secilin edicion, NDI-në dhe USAID-in , tha se Java e Gruas ka nisur si iniciativë në nëntor të vitit 2011 nga Grupi i Grave Deputete, ku nisi si nevojë për fuqizimin e grave e vajzave nga e gjithë Kosova.


"Ne deshëm që të mos flitet për gra e vajza vetëm më 8 Mars, që e gjithë puna të mos mbetet vetëm në të folur, por që gjatë gjithë javës të punohet shumë intensivisht, që pjesëmarrëset nga gjithe territori i Kosovës, nga të gjitha nacionalitetet, nga fusha të ndryshme, të mblidhen, të marrin pjesë në tryeza për tema të ndryshme, të takohen me përsonalitete të njohura, me organizata prestigjoze dhe pasdite të marrin trajnime superiore dhe të krijojnë rrjetëzimet që do t'iu ndihmojnë në karrieren e tyre, të inspirohen e vlerësojnë veten dhe gratë tjera", tha Sahatqija duke shtuar se çdo vit nga 100 femra i shtohen kësaj ushtrie të fuqishme.


Pas përfundimit të kësaj jave, do të bëhen 400 gra e vajza të afta, të përgatitura me dije, me përvojë dhe me rrjetëzim te mrekullueshëm dhe çdo vit Kosovës po i shtohen nga 100 gra e vajza të afta, të përgatitura në të gjitha aspektet që të marrin përgjegjësitë nëpër institucione.

Ndërsa, Presidentja e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, theksoi rëndësinë e përkrahjes institucionale të gruas duke aplikuar politika të cilat do të rrisin nivelin e shfrytëzimit të kapacitetit të gruas.


Presidentja Jahjaga tha se një mundësi e ofruar ndaj vajzës, është një përpjekje më shumë për të thyer rrethin vicioz të varshmërisë, të varfërisë, të mospjesëmarrjes në të cilën gratë e gjejnë veten gjeneratë pas gjenerate, është mundësi që i ofrohet progresit.


"Beteja për garantimin e barazisë gjinore, është betejë e të gjithë shoqërisë, e grave dhe burrave, pasi efektet pozitive të saj prekin të gjithë shoqërinë pa dallim gjinie. Respektimi i të drejtave të njeriut është obligim qytetar dhe institucional përmbushja e të cilave i takon grave dhe burrave njësoj", tha Jahjaga duke uruar një javë të suksesshme dhe duke theksuar se besojnë në këto rezultate katërvjeçare që kanë arritur si Javë e Gruas.


Më tej foli edhe drejtor i USAID-it në Kosovë, z.James Hope. Ai duke diskutuar për rëndësinë e Javës së Gruas dhe rëndësinë e fuqizimit të gruas tha se USAID-i çdo vit për këtë qëllim përkrah gra dhe vajza me bursa për të kryer studimet apo masterin në SHBA.

Ndërsa, Alexander Chavarria, drejtor i NDI-së në Kosovë tha se do të vazhdojnë t'a përkrahim fuqizimin e gruas, ngase shtoi ai, kështu sigurojmë të ardhmen e saj. Java e Gruas është edhe një formë e përkrahjes sonë, tha Chavarria.
Në pjesën e dytë të seancës së sotme, Bordi i Grupit të Grave Deputete në përbërje: Blerta Deliu - Kodra, Vjosa Osmani , Shqipe Pantina, Time Kadriaj dhe Shukrie Bytyqi, diskutuan mbi rëndësinë e sundimit efektiv të ligjit dhe rolin që ka në ngritjen e pozitës së gruas në jetën politike dhe shoqërore në Kosovë.


Ato theksuan se barazia gjinore është e drejtë njerëzore për të cilën duhet anhazhuar fuqishëm që të zbatohet.

Java e Gruas mbahet më 23- 27 mars.

 

Mbahet “ Java e Gruas”Mbahet “ Java e Gruas”