Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Hënë, 23.03.2015




Mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për investimet e huaja, ishte temë e dëgjimit të sotëm publik, organizuar nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri, kryesuar nga Besim Beqaj, kryesues i grupit punues për mbikëqyrjen e këtij Ligji.


Duke folur për qëllimin e këtij takimi, Beqaj, vuri në spikamë rëndësinë e evidentimit të të metave që mund të ketë Ligji, në mënyrë që të evitohen ato. Në bazë të një statistike të saktë të investimeve gjatë këtyre viteve, tha në vijim ai, mund të mësojmë për trendin e investimeve, sfidat dhe përparësitë që paraqiten me këtë Ligj.
Deputeti, Blerim Grainca, ndërkaq, në fillim të debatit shprehu shqetësimin për pjesëmarrje të ulët nga komuniteti i biznesit. Dëgjimet publike, tha ai, janë rast i mirë për të ofruar rekomandime, në mënyrë që ligji të gjejë zbatim më të madh në praktik.


Zv. ministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Avni Kastrati, ndërkaq, vlerësoi se zbatimi i këtij Ligji varet edhe nga disa ministri të tjera, siç është ajo e MZHE-së dhe Ministria e Drejtësisë. Ai në vijim tha se për të rritur investimet e jashtme, duhet një angazhim i të gjithë faktorëve relevant të kësaj fushe. Duke iu referuar disa njoftimeve në medie, se investitorët e jashtëm ikin nga Kosova dhe investimet e tyre i realizojnë në Maqedoni, Kastrati i quajti propagandë të cilat kanë për qëllim dekurajimin e investitorëve. "Përpos kompanisë "Elkos", e cila ka për qëllim zgjerimin e biznesit të saj edhe në Maqedoni, as një investitor tjetër nuk ka shkuar atje", tha Kastrati.


Nga e njëjta Ministri foli edhe Rexhep Bllaca, i cili tha se Ligji për investime të huaja nuk ka hasur në pengesa që do të pamundësonin zbatimin e tij. Ai me këtë rast rekomandoi që të fuqizohet Agjencioni për Promovimin e Investimeve të
Huaja, ndërsa nga Qeveria kërkoi kujdes të shtuar ndaj investitorëve duke iu siguruar edhe tokën në të cilën do të mund të realizonin investime për të prodhuar.


Në emër të Odës Ekonomike të Kosovës foli, Lumnie Hashani. Ajo u ndal te emërtimi i Ligjit, i cili sipas saj duhet të ndryshojë. Ligji, tha a jo, duhet të emërtohet për investime në përgjithësi, e jo të specifikohet si Ligj për investime të jashtme. Ajo pati vërejtje edhe në politikat fiskale dhe kamatën e lartë bankare, ndërsa kërkoi që në hartimin e ligjeve të kësaj fushe, të ftohen edhe përfaqësuesit nga komuniteti i biznesit.


Përfaqësuesi i Spitalit Amerikan në Kosovë, Klodian Allajbegu, foli për rëndësinë e realizimit të kontratave. Ai me këtë rast shpjegoi për mosrealizimin e kontratës së nënshkruar në mes të autoriteteve përkatëse dhe përfaqësueseve të këtij spitali, kontratë kjo e cila nuk është duke u respektuar nga autoritetet e tanishme. Pasi që fajësoi autoritetet për mosrespektim të kontratës, ai me këtë rast vuri në pah dëmet që i shkaktohen vendit. Objektiv i Spitalit Amerikan ka qenë që numri i punëtorëve, nga 280 sa është tani, të rritet në 500, ndërsa investimet arrinin shumën në 16 milion euro, tha ai, ndërsa kërkoi respektim të menjëhershëm të marrëveshjes.


Përfaqësuesi i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Agon Duka, vlerësoi se investimet në Kosovë nuk kanë shënuar rënie krahasuar edhe me vendet e rajonit, por kriza e përgjithshme ka reflektuar në të gjitha shtetet në rajon dhe më gjerë. Ai po ashtu sqaroi se Maqedonia ka organizuar fushatë kundër investimeve në Kosovë.


Në emër të kompanisë " Mabco SHpk", foli Islam Pacolli, i cili kritikoi mungesën e depove doganore. Ai vlerësoi se kusht i zhvillimit të mirëfilltë është stimulimi i prodhimeve vendore, krahas atyre të jashtme.


Përfaqësuesi i Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna, ndërkaq, vlerësoi se KIESA duhet që të organizohet edhe më mirë në koordinimin në mes të autoriteteve qendrore dhe atyre lokale. Ai po ashtu u angazhua që të aplikohet heshtja administrative ndaj disa vendimeve gjuyqësore , si dhe ndryshimi i politikave fiskale.


Në fund të debatit, të pranishmit konstatuan se zbatueshmëria e kontratave është problemi themelor në zbatimin e Ligjit për investimet e huaja.


Pas këtij debati, komisioni do të nxjerrë rekomandimet me të cilat do të njoftohet edhe Kuvendi.

 

 

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...