Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Hënë, 23.03.2015
Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë të rregullt plenare të enjten, më 26 mars, në orën 10:00, në të cilën pritet të shqyrtohen disa projektligje, raporte e kërkesa, si dhe do të zhvillohet një debat parlamentar. Të premten, ndërkaq, më 27 mars, kryeministri Isa Mustafa do të paraqitet në interpelancë parlamentare.
Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Pas pikave të zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, Kuvendi do të shqyrtojë Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me Projektin për Efiçiencën e Energjisë dhe Energjinë e Ripërtëritshme, si dhe atë për Ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin për reformën shëndetësore. Do të shqyrtohet, gjithashtu, raporti i Auditimit të sistemeve të Prokurimit në Sektorin shëndetësor dhe propozimi për emërimin e anëtarit të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës.
Po në këtë seancë, do të shqyrtohet rekomandimi i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve për Avokat të Popullit, raporti me rekomandime i Komisionit të posaçëm për zgjedhjen e kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, si dhe kërkesa e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për formimin e Komisionit hetimor parlamentar për Radio Televizionin e Kosovës. Për RTK-së pritet të zhvillohet edhe një debat i veçantë, sipas kërkesës së deputetes Shqipe Pantina.
Kryesia vendosi që interpelanca e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, për përgjegjësinë kushtetuese të Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale, e propozuar nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, të mbahet të premten, më 27 mars, në orën 10:00.
Në vazhdim të mbledhjes së sotme, Kryesia shqyrtoi edhe disa rekomandime, kërkesa e njoftime. Kështu, nisma qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, u procedua për shqyrtim në Komisionin për Buxhet dhe Financa, ndërsa administrata e Kuvendit u ngarkua të shpallë konkursin për anëtar të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, nga radhët e komunitetit serb.
Kryesia themeloi Grupin e Miqësisë ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe Asamblesë Kombëtare të Francës. Kryesia u njoftua, gjithashtu, për formimin e Nënkomisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregulloren e Kuvendit, si dhe lidhur me disa vizita zyrtare jashtë vendit të delegacioneve të ndryshme të Kuvendit të Kosovës.