Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...

E Enjte, 19.03.2015




Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, në takimin e sotëm të kryesuar nga Lirije Kajtazi, kryetare e komisionit, shqyrtoi dy ankesa lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve për Avokat të Popullit, si dhe një peticion të punëtorëve të hotelit "Grand" në Prishtinë.

Lidhur me ankesën e Shoqatës, " Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut", sipas së cilës pretendohet se Komisioni ka bërë shkelje duke i propozuar Kuvendit një listë prej katër anëtarëve për Avokat të Popullit, (e jo tre, siç është e paraparë me Ligj), u vlerësua se është e pabazë. Këtë vendim komisioni e mori duke pasur parasysh faktin se dy nga kandidatët kanë marrë vlerësim të njëjtë gjatë procesit të intervistimit.

Po ashtu, e pabazë është vlerësuar edhe ankesa, të cilën komisionit ia ka adresuar , Agim Vatovci. Sipas kësaj ankese, shkelje e procedurës merret se kandidati Mazllum Baraliu e Suzan Novobërdali, u përkasin partive politike. Komisioni ndërkaq, sqaroi se dy kandidatët kanë nënshkruar formularin në të cilin sqarojnë se nuk janë aktiv në jetën politike. Në komision po ashtu u sqarua se Ligji dhe Rregullorja për përzgjedhjen e Avokatit të Poullit, nuk precizojnë, se sa kohë para se të konkurrojnë për Avokat tët Popullit, kandidatët duhet të tërhiqen nga jeta politke.
Në vijim, komisioni shqyrtoi edhe peticionin e Punëtorëve të hotelit "Grand" në Prishtinë.

Në emër të nënshkruesve të peticionit foli, Mustaf Ahmeti. Ai tha se punëtorët e kësaj ndërmarrjeje janë të diskriminuar, ndërsa kërkoi të merren masa të menjëhershme për të përmirësuar gjendjen në të dhe pozitën e punëtorëve. Shkurtimin e pagave për punëtorët dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar aktivitete sindikale, ai i cilësoi si masa të patolerueshme.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të likuidimit në AKP, Avni Jashari, ndërkaq, tha se për shkak se kjo ndërmarrje është në procesin e likuidimit, të angazhuarit në këtë ndërmarrje nuk e kanë statusin e të punësuarve, por të ofruesve të shërbimeve të përkohshme. Ai po asht sqaroi se për shkak të të hyrave të pakta, është ulur edhe paga e këtyre shërbyesve. Sipas tij, zgjedhja e çështjes së hotelit" Grand" dhe e punëtorëve të saj do të ndodhë, pasi të kompletohet Bordi i AKP-së.

Pas dëgjimit të palëve, grupi punues në kuadër të komisionit për shqyrtimin e peticioneve dhe ankesave, do të shqyrtojë edhe të dhënat që ndërkohë do t'i sigurojë, para se të paraqesë rekomandimin për këtë çështje.

 

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...