Lajmet e fundit
Ministrja për dialog, Edita Tahiri, raportoi në Komisionin për Punë të Jashtme
E Mërkure, 18.03.2015
Komisioni për Punë të Jashtme e ka ftuar ministren për dialog, znj. Edita Tahiri, që të raportojë para anëtarëve të këtij Komisioni për mbarëvajtjen e deritanishme të dialogut dhe perspektivën e tij. Kryetari i Komisionit, Enver Hoxhaj , i cili e ka drejtuar takimin ka përgëzuar ministren për angazhimin saj serioz në dialog, ndërkaq ka sugjeruar që të këmbëngulet në implementimin e marrëveshjeve të arritura dhe që temat e dialogut në këtë fazë të jenë bilaterale, si bie fjala çështja e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në fjalën e saj para anëtarëve të Komisionit Mnistrja Tahiri ka theksuar se dialogu ka forcuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Duke precizuar se dialogu ka qenë obligim ndërkombëtar i institucioneve të Kosovës dhe njëri ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës, Tahiri ka vënë në spikamë se është ruajtur interesi nacional i vendit. Ajo i ka garantuar anëtarët e Komisioni se është mbajtur kujdes që të mos shkelen vijat e kuqe që janë përcaktuar nga institucionet më të larta të vendit.
Ndër sukseset e dialogut Tahiri ka përmendur kufirin e përbashkët të menaxhuar (IMB-në), funksionimin e doganave, shpërbërjen e strukturave paralele, etj. Ajo, ndërkaq, ka pohuar se Serbia nuk do të mund të anëtarësohet në BE pa pranimin e shtetit të Kosovës, ndërkaq është shprehur optimiste se brenda tre muajve të ardhshëm do të hiqet edhe barrikada mbi lumin Ibër.
Ministrja Tahiri ka theksuar se nuk do të këtë themelim të Asociacionit të Komunave serbe pa implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në procesin e dialogut dhe shuarjen e strukturave paralele Ajo ka precizuar se asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe përfaqësuese, duke garantuar se asociacioni do të punojë sipas ligjeve të Kosovës. Ajo, ndërkaq, ka pohuar se Serbia vazhdon të bëjë obstruksione komunave legale, me shumicë serbe në Kosovë dhe t'i favorizojë komunat ilegale.
Ndër temat e ardhshme në dialog me Serbinë ,Tahiri ka përmendur demarkacionin e kufirit, respektimin e sovranitetit, njohjen e n ndërsjellë, vendosjen e bashkëpunimi ndërshtetëror, etj, ndërkaq , ka theksuar se në një kohë jo të largët do të diskutohet edhe për sukcesionin dhe reparacionet e luftës.
Kryetari i Komisionit, Hoxhaj dhe anëtarë të tjerë nga radhët e koalicionit qeverisës e kanë përgëzuar ministren për punën e bërë në dialog me Serbinë, kurse anëtarët nga opozita i kanë bërë vërejtje substanciale procesit të dialogut , duke vlerësuar se ai po e forcon praninë e Serbisë në Kosovë dhe vetëm sa po i largon përditë e më shumë qytetarët serbë të Kosovës që kanë treguar vullnetin për t'u integruar.
Po në takimin e sotëm, Komisioni ka shqyrtuar mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Shërbimin Konsullor të Misioneve Diplomatike dhe Konsullore të Republikës së Kosovës, duke e formuar edhe grupin punues për këtë çështje në përbërje: Puhie Demaku, Blerta Deliu-Kodra, Teuta Rugova dhen Qerim Bajrami.
Anëtarët e Komisionit janë njoftuar me disa nisma për bashkëpunim ndërparlamenrtar, që kishin të bënin kryesisht me vizita zyrtare që do të bëhen jashtë vendit dhe me delegacionet parlamentare nga vende të ndryshme që do të vizitojnë Kuvendin e Kosovës dhe do të takohen edhe me anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme.