Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturё, Rini dhe Sport

E Mërkure, 18.03.2015




Gjendja në arsim, me theks të veçantë në arsimin universitar, ishte temë diskutimi e mbledhjes së Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturё, Rini dhe Sport, të kryesuar nga Nait Hasani, kryetar i Komisionit, ndërsa në mbledhje mori pjesë edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami. Duke hapur debatin, Nait Hasani theksoi se ditëve të fundit flitet për afera të ndryshme në lëmin e arsimit, siç është edhe ajo për falsifikimin e diplomave në Pejë dhe në Gjakovë. Në vijim ai përmendi edhe rastin e Shkollës së Policisë, e cila vepron e palicencuar. Në fjalën e tij ai e karakterizoi gjendjen në arsim , sidomos në atë superior, mjaft të rëndë. Në këtë vështrim edhe anëtarët e Komisionit ngritën shumë çështje e pyetje për ministrin, përkitazi me disa parregullsi e dobësi në arsimin universitar. Vëmendja e diskutuesve u përqendrua sidomos në çështjen e falsifikimit të diplomave. U zunë në gojë dukuri të mbrojtjes së doktoratave pa kryer fakultetin, pastaj faktin që disa kolegje emërojnë vetveten universitete, megjithëse nuk janë të licencuara si të tilla. U përmend rasti i 20 personave që kanë mbrojtur doktoratat në universitetin ilegal ECPD, të cilët madje gjenden në pozita të ndryshme dhe avancohen.

Në fjalën e tij ministri Arsim Bajrami theksoi se niveli i arsimimit në Kosovë është larg standardeve ndërkombëtare, duke shprehur njëkohësisht edhe pakënaqësinë e tij me këtë gjendje. Në këtë frymë, ai tha se synim i posaçëm i tij është angazhimi për ngritjen e cilësisë së studimeve në arsimin e lartë. Cilësia në arsimim do të jetë prioritet i Ministrisë. Në vazhdim ministri Bajrami foli për angazhimet e Ministrisë në fushën e ligjeve që kanë të bëjnë me arsimin, si një parakusht qenësor për mbarëvajtje dhe cilësi në arsimim. Në këtë frymë , tha ai, së shpejti do të vijë në këtë Komision edhe Projektligji për arsimin e lartë,i cili do të vendosë rregulla e praktika të reja. Në Qeverinë e Kosovës është dorëzuar edhe Projektligji për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në bazë të të cilit krijohen kushte për ripërtëritje, pastaj Projektligji për provimin e maturës etj. Përkitazi me pyetjen rreth Universitetit në veri të Mitrovicës, ministri Bajrami tha se ai universitet nuk ka licencë, ndaj diplomat e lëshuara nga ai nuk do të njihen.

Duke folur për çështjen e ngritur për 505 diploma false, ai tha se pikësëpari fjala është për Shkollën e Lartë të Pejës e jo për universitetin "Haxhi Zeka" në Pejë. Madje, nuk është fjala për 505 diploma, por çështje është regjistrimi i studentëve jashtë kritereve të konkursit. Në këtë rast janë bërë shumë abuzime gjoja se kanë humbur dosjet, ndërsa pastaj ato janë kompletuar në mënyrë fiktive. Në këtë rast, tha ministri Bajrami, si gjykata ashtu edhe prokuroria kanë treguar neglizhencë.

 

Mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturё, Rini dhe Sport