Lajmet e fundit
Kryetari Veseli takoi Kryetarin e Asamblesë Nacionale të Panamasë, Adolfo Valderrama
E Marte, 17.03.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Z. Kadri Veseli, takimin e parë gjatë vizitës së tij disa ditore në Qytetin e Panamasë e zhvilloi në Asamblenë Kombëtare të Panamasë. Fillimisht ai u prit nga kryetari i komisionit parlamentar për marrëdhëniet me jashtë Z. Luis Eduardo Duiros me të cilin diskutoi për marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Panamasë por edhe për mundësitë për t'i shtrirë këtë lidhje të shkëlqyera edhe në fushën e ekonomisë.
Në vijim Z. Veseli zhvilloi një bisedë të ngrohtë dhe miqësore me kryeparlamentarin panamez, Z. Adolfo Valderrama. Z. Veseli e falënderoi Z. Valderrama për njohjen dhe mbështetjen e deritanishme që Panamaja i ka dhënë Kosovës dhe theksoi se Panamaja me rritjen më të madheekonomike në botën hispanike është një model në fushën e zhvillimit prandaj shkëmbimet e përvojës janë shumë të dobishme.
Një pjesë e mirë e bisedës në mes të Z. Veseli dhe Z. Valderrama u zhvillua rreth rolit diplomatik të Panamasë në rajon dhe hapësirave që mund të shfrytëzohen për ta promovuar Kosovën në këtë pjesë të botës. Z Valderrama theksoi se Panamaja është një pikë nevralgjike e kontinentit dhe një udhëkryq për të gjitha vendet e Amerikës Latine dhe u zotua se do të angazhohen maksimalisht që të ndikojnë që Kosova të pranohet nga vende të tjera shtet i pavarur.
Në fund të takimit Z Veseli parashtroi një ftesë për zhvillimin e një vizite zyrtare në Kosovë të Z. Valderrama gjë që u mirëprit dhe u pranua me kënaqësi prej tij.