Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit
E Marte, 17.03.2015
Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, kryesuar nga kryetarja Albulena Haxhiu, u shqyrtuan dhe u përkrahën dy raporte me amendamente të grupeve punuese për këto projektligje: Projektligjin për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave, të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës ose të panelit për lirim me kusht, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-51 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.
Tutje, anëtarë të komisionit me 2/3 e votave të anëtarëve mbështetën formimin e Nën-komisionit për Mandate, Imunitet dhe Rregulloren e Kuvendit dhe zgjodhën anëtarët e këtij nën-komisioni. Kryesues i nën-komisionit është zgjedhur Armend Zemaj.
Komisioni më tej ka shqyrtuar dhe miratuar edhe Planin e Veprimit për monitorimin e zbatimit të Strategjisë Kundër Korrupsionit 2013-2017, duke përcaktuar me këtë rast edhe grupin e punës.
Krejtësisht në fund, anëtarë të komisionit mbështetën Raportin me amendamente të komisionit funksional në Projektligjin nr.05/L-09 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr.03/L-087 për ndërmarrjet publike, me vërejtjen se është ndërhyrë në ligjin bazik.