Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Marte, 17.03.2015




Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për financim e lidhur ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin për reformën shëndetësore, ishte pikë e parë e rendit të ditës së mbledhjes së sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i Komisionit. Në këtë mbledhje mori pjesë edhe ministri i Ministrisë së Financave, Avdulla Hoti. Me këtë marrëveshje, e cila është bërë me Bankën Botërore, parashihet që Kosovës t' i jepet një kredi prej 20,45 milionë euro. Ministri Avdulla Hoti theksoi se kjo marrëveshje , përkatësisht kredia e ofruar, është shumë e favorshme. Projektligji u përkrah edhe nga ana e anëtarëve të Komisionit, të cilët vendosën që Marrëveshja të procedohet më tej në Kuvend.

Në vijim u shqyrtua Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për financim e lidhur ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin për Efiçiencën e Energjisë dhe Energjinë e Ripërtritshme, në vlerë prej 24,98 milionë euro. Projektligji u përkrah nga anëtarët e Komisionit dhe gjithashtu u procedua për shqyrtim të mëtejmë në Kuvend.

Komisioni pastaj shqyrtoi Kërkesën e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për bashkëfinancimin e projektit të Komunës së Gjakovës, përkatësisht për Projektin e Lapidarit të Lirisë në këtë komunë. Komisioni përkrahu kërkesën për transfer dhe kërkoi që Agjencia të komunikojë me Komunën e Gjakovës për të specifikuar teknikisht kërkesën.

Komisioni në vazhdim shqyrtoi Rekomandimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione, që ka të bëjë me uljen e çmimit të energjisë elektrike. Me këtë rast u tha se kjo çështje është mjaft e ndjeshme dhe se qëndrimin për të duhet marrë edhe nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, si dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike. Në përfundim të debatit u vendos që në mbështetje të shqyrtimit të sotëm, të bëhen rekomandimet, të cilat pritet të aprovohen në mbledhjen e ardhshme.


Gjatë shqyrtimit të Projektligjit nr. 05/L-09 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.03/L-087 për Ndërmarrjet Publike me amendamentet e Komisionit funksional për Zhvillim Ekonomi, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, u tha se ky Projektligj nuk ka implikime buxhetore, ndaj edhe u përkrah procedimi i mëtejmë në Kuvend.

 

 

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa