Lajmet e fundit
Në Tiranë po mbahet Konferenca e Kryetarëve të Komisioneve Parlamentare për Politikën e Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor (SEECP)
E Shtune, 14.03.2015
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme i Kuvendit të Republikës së Kosovës z.Enver Hoxhaj, po merr pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Komisioneve Parlamentare për Politikën e Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor (SEECP) që po mbahet në Tiranë prej dt.12-13 Mars 2015.
Temë e diskutimeve në konferencë janë e ardhmja evropiane e vendeve të rajonit.
Kryetarët e Komisioneve Parlamentare për Punë të Jashtme kanë folur për nevojën e bashkërendimit të angazhimeve në politikën e jashtme për ta bërë më të lehtë e të arritshme anëtarësimin në familjen evropiane.
Në fjalën e tij z. Hoxhaj ka thënë se Kosova në vitet e fundit është shembulli se si duhen adresuar sfidat me fqinjët, përfshirë dialogun me Serbinë, çështjen e demarkacioneve dhe tema të tjera të bashkëpunimit.
Z. Hoxhaj me tej theksoi:- "Ne çdo ditë flasim për bashkëpunimin në rajon. Kemi ndërmarrë edhe iniciativa konkrete sikurse është kjo konferencë sot. Por duhet të zbresim në rrafshin praktik të konkretizimit të planeve tona. Parlamenti i Kosovës fatkeqësisht mbetet një nga institucionet më të izoluara dhe kërkoj përkrahjen Tuaj për anëtarësimin e tij në shumë forume e organizata rajonale parlamentare" .
Gjithashtu Hoxhaj ka takuar edhe homologët dhe përfaqësuesit e komisioneve nga Bullgaria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Austria.