Lajmet e fundit

Dëgjim publik i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Premte, 13.03.2015




Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga kryetari i komisionit Besnik Bislimi, mbajti sot dëgjim publik lidhur me Raportin Vjetor të Auditimit, për vitin 2013. Të pranishëm në këtë takim ishin : ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar.

Me këtë rast, anëtarë të Komisionit numëruan disa nga të gjeturat dhe mangësitë që janë prezantuar në këtë raport. Me theks të veçantë, ata kërkuan sqarime të shumta nga dy ministrat lidhur me parregullësitë e evidentuara gjatë vititi 2013, sa i përket menaxhimit të financave publike, duke kërkuar edhe informata lidhur me veprimet që janë duke ndërmarrë këto dy ministri në adresimin e rekomandimeve.

Zv.auditori gjeneral, Artan Venhari, duke shpalosur raportin dhe mangësitë që janë evidentuar tha se një numër i rekomandimeve janë adresuar dhe janë ndërmarrë disa veprime.

Gjatë këtij takimi të dy ministrat diskutuan për hapat që kanë ndërmarrë, duke theksuar se kanë identifikuar të gjitha problemet, ndërkaq premtuan se shumë shpejt do të përfundojë edhe Ligji për Pagat. Më tej, ata përmendën se fokusi i tyre do të jetë në llogaridhënien që ata do ta kenë në të ardhmen dhe theksuan se asnjë iniciativë qeveritare nuk do të procedohet në Kuvend pa e pasur vlerësimin e implikimeve buxhetore, në mënyrë të krijimit të një stabiliteti buxhetor.

Anëtarët e komisionit u dakorduan që gjatë javës së ardhshme të përpilojnë rekomandimet lidhur me këtë çështje, ndërkaq kërkuan që të ndërmirren veprime konkrete për të adresuar të gjeturat e evidentuara nga ZAP-i.

 

Dëgjim publik i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike