Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Premte, 13.03.2015
Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar
nga kryetari i komisionit, Besnik Bislimi, u shqyrtuan dhe u përkrahën rekomandimet për Ministrinë e Shëndetësisë, të dala nga dëgjimi publik i komisionit, mbajtur javën e kaluar lidhur me Raportin e auditimit të sistemeve të prokurimit në sektorin shëndetësor.
Anëtarë të komisionit kërkuan nga MSH-ja që në afat prej 3 muajsh të hartojnë strategjinë gjithëpërfshirëse të prokurimit për sektorin e shëndetësisë dhe për këtë ta njoftojë Komisionin.
Më tej ata kërkuan që kjo ministri të sigurojë që rekomandimet e auditimit të brendshëm dhe të jashtëm janë adresuar në mënyrë efektive për të parandaluar përsëritjen e tyre nga viti në vit dhe për këtë të përgatisë një raport me shkrim për Komisionin.
U kërkua po ashtu që MSH-ja të dizajnojë dhe të zbatojë një rishikim referues të artikujve të rëndësishëm të listës esenciale të barnave dhe për këtë ta njoftojë Komisionin dhe Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm.
Anëtarë të komisionit veç tjerash kanë rekomanduar që përfomanca e mëtejme e sektorit të sistemit informativ shëndetësor të përmirësohet .
Ndërsa, për Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm, Komisioni ka rekomanduar që në auditimet e ndërmjetme, ZAP-i të mbikëqyrë zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga raporti i auditimit për sistemin e prokurimit në sektorin e shëndetësisë, si dhe të rrisë numrin e auditimeve të perfomancës në këtë sektor.
Krejtësisht në fund, anëtarë të Komisionit përkrahën rekomandimet e komisionit për procedim në Kryesinë e Kuvendit, me kërkesën për debat parlamentar në Kuvend për sistemin e shëndetësisë.