Lajmet e fundit
Kryetari Veseli takoi ministren e Arsimit të Shqipërisë, Lindita Nikolla
E Mërkure, 11.03.2015
Sot, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli ka takuar ministren e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Lindita Nikolla. Në takim mori pjesë edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë i Kosovës, Arsim Bajrami.
Kryetari Veseli u njoh nga Ministrja Nikolla dhe Ministri Bajrami për aktivitetet e përbashkëta në fushën e legjislacionit për arsimin, duke theksuar përkushtimin për ngritjen e cilësisë në arsim, arsimin profesional, përafrimin në fusha të caktuara, si dhe unifikimin e programeve të mundshme arsimore parauniversitare dhe universitare.
Në takim u fol edhe për përafrimin e kurikulave në arsimin fillor dhe të mesëm, si dhe Ligjin për profesionet, të hartuar në pajtim me të arriturat më të larta të arsimit evropian, duke e vlerësuar këtë si epokë të re të arsimit për të dyja vendet.
Kryetari Veseli i falënderoi ministrat për përkushtimin e tyre dhe angazhimin e vazhdueshëm drejt avancimit të arsimit në të dyja vendet, me theks të veçantë për përmbajtjet që shpijnë përpara drejt një shoqërie të arsimuar dhe të aftë për tregun e punës, lehtësimin e qasjes në arsim, me bashkëpunimin në nivelin universitar e parauniversitar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe me aftësimet profesionale që merren nga arsimi profesional.
Një pjesë e punës së përbashkët në fushën e legjislacionit në mes të dy ministrive do të nënshkruhet gjatë këtij muaji nga dy qeveritë, Kosovës dhe Shqipërisë, duke shënuar kështu një nivel të ri të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e arsimit.