Lajmet e fundit
Sahatqija dhe Bajrami pjesëmarrëse në Konferencën e COSAP-it
E Mërkure, 11.03.2015
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Teuta Sahatqija, si dhe zëvendëskryetarja e parë e këtij komisioni, Valdete Bajrami, po marrin pjesë në konferencën e 10-të, të Komisioneve Parlamentare për Integrime/Çështjeve Evropiane, të shteteve pjesëmarrëse në procesin e Stabilizim Asociimit të Evropës Juglindore - COSAP. Kjo konferencë po mbahet në Beograd, më datën 10 dhe 11 mars 2015.
Kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane te Parlamentit të Serbisë, Aleksandar Senic, ka përshëndetur pjesëmarrjen e delegacionit nga Kosova duke deklaruar se ky është një rast historik, pasi që për herë të parë Kosova po merr pjesë në Parlamentin e Republikës së Serbisë.
Tema kryesore të kësaj konferencës ishin: Strategjia për zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe sfidat kryesore 2014-2015, reformat ekonomike dhe sfidat socio-politike në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, bashkëpunimi regjional në fushën e bashkëpunimit dhe koordinimit të IPA-së, iniciativat e përbashkëta - Roli i Parlamenteve Kombëtare dhe politika e energjisë - praktikat.
Në këtë konferencë, kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Teuta Sahatqija, ka diskutuar për rëndësinë e ndjekjes së rrugës së integrimeve evropiane për shtetet e Ballkanit Perëndimor, si dhe për kultivimin e fqinjësisë së mirë ndër shtetet e rajonit, si kusht kryesor për integrim evropian.
Po ashtu, Teuta Sahatqija ka informuar kryetarët e Komisioneve parlamentare për Integrime/ Çështje Evropiane të shteteve pjesëmarrëse në këtë konferencë për të arriturat dhe adresimin e sfidave që dalin nga Strategjia për zgjerimin e Bashkimit Evropian 2014-2015, si dhe reformat ekonomike.
Ndërkaq, zëvendëskryetarja e parë e Komisionit për Integrime Evropiane, Valdete Bajrami, ka potencuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në proceset integruese të vendeve të rajonit, si dhe rendësinë e fondeve të IPA-s.
Me këtë rast Sahatqija dhe Bajrami zhvilluan takime me homologët e tyre, përkatësisht me kryetarët dhe zëvendëskryetarët e Komisioneve parlamentare për Integrime/Çështje Evropiane të vendeve anëtare të COSAP-it.