Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregullore të Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit
E Hënë, 09.03.2015
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregullore të Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion, kryesuar nga Albulena Haxhiu, kryetare e komisionit, në mbledhjen e sotme diskutoi rreth raportit nga vizita e Komisionit në Qendrën Korrektuese në Dubravë.
Me këtë rast, anëtarë të komisionit diskutuan për mangësitë dhe të gjeturat nga Komisioni gjatë vizitës që ata bënë në katër pavijone në burgun e Dubravës. Ata theksuan faktin se ka mangësi në Ligjin për Amnestinë, ndërkaq kërkuan që Ministria e Drejtësisë që të fillojë me ridraftimin e këtij ligji. Anëtarë të Komisionit përmendën edhe kushtet e të burgosurve , si dhe shfaqën shqetësimin e tyre lidhur me panelin për lirimin me kusht, ndërsa përmendën edhe moszbatimin e Ligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale.
Anëtarë të komisionit gjatë diskutimit shfaqën edhe disa propozime konkrete se si të adresohen këto çështje duke dhënë një sërë rekomandimesh.
Komisioni u dakordua që ky raport të kompletohet edhe me vizitat e radhës që ata do të zhvillojnë në Qendrat Korrektuese të Dubravës dhe Lipjanit.
Në vijim të mbledhjes anëtarët e komisionit diskutuan edhe për planin e komisionit për monitorimin e Strategjisë kundër korrupsionit 2013-2017, si dhe lidhur me veprimet e Komisionit në raport me Agjencinë Kundër Korrupsionit, që ka të bëjë me deklarimin e pasurisë të zyrtarëve të lartë të Agjencisë.
Ata u dakorduan që Komisioni përmes një shkrese të kërkojë nga AKK-ja deklaratat financiare të zyrtarëve të lartë të AKK-së.
Tutje, ata përkrahën raportin e Komisionit funksional në Projektligjin nr. 05/L-02 për ndalimin e bashkimit në konfliktet të armatosura jashtë territorit të vendit, si dhe propozimin e lidhjes së Juristëve të Kosovës për emërimin e Mazllum Baraliut, anëtar në Këshillin Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës.