Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Hënë, 09.03.2015
Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë të rregullt plenare të enjten, më 12 mars, në orën 10:00.
Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Pas pikave të zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, Kuvendi do të shqyrtojë kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2015, do të zgjedh nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës nga radha e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe dy anëtarë të Komisionit të Pavarur për Media.
Në këtë mbledhje, kryetari Veseli i njoftoi nënkryetarët e Kuvendit dhe kryetarët e grupeve parlamentare me ardhjen në Kuvend nga Qeveria e Kosovës të propozimeve për ndryshime kushtetuese. Kryetari i Kuvendit bëri të ditur se konform dispozitave ligjore dhe kushtetuese, shkresën do ta procedojë sot në Gjykatën Kushtetuese.
Në vazhdim, Kryesia shqyrtoi edhe disa propozime, kërkesa e njoftime.
Kështu, pasi u konstatua se kërkesa e deputetes Shqipe Pantina, mbështetur edhe nga gjashtë deputetë të tjerë, për debat parlamentar lidhur me punën dhe funksionimin e Radio Televizionit të Kosovës, i plotëson kushtet ligjore për procedim, ajo u delegua për shqyrtim në komisionin parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media. Sipas rekomandimeve të Komisionit për Buxhet dhe Financa, ndërkaq, u miratua raporti i shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2014.
Kryesia u njoftua me dorëheqjen e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe njëherësh zgjedhjen e tij kryetar i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe për vizitën zyrtare në Turqi të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.