Lajmet e fundit

Seancë e përbashkët e deputeteve të Kuvendit të Republikës së Kosovës me deputetet nga Shqipëria dhe Maqedonia, si dhe gratë politikane nga Mali i zi dhe Presheva

E Diel, 08.03.2015




Me rastin e 8 Marsit-Ditës së Grave,sot në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës, u mbajt seancë e përbashkët e deputeteve të Kuvendit të Republikës së Kosovës me deputetet nga Shqipëria dhe Maqedonia, si dhe gratë politikane nga Mali i zi dhe Presheva. Seancën e hapi, deputetja nga Shqipëria Arta Dade, e cila tha se është nder të hapë dhe të udhëheq këtë seancë. Ajo në vijim theksoi se femrat nuk janë vetëm simbol, ato janë protagoniste të emancipimit dhe zhvillimit në sektorin ekonomik e financiar, në politikë, në kulturë, në akademi; janë kryesuese të delegacioneve,kryetare të bashkive e pjesëmarrëse në institucioneve të tjera."Përpiqemi për më shumë vende pune, në luftën kundër korrupsionit;angazhohemi për arsimim superior të femrës", theksoi ajo, për të shtuar në vijim se pa kontributin e grave Shqipëria, në aspektin e zhvillimit të demokracisë nuk do të ishte aty ku është sot, ndërsa as Kosova nuk do të fitonte pavarësinë, e njohur nga 108 shtete të botës. Ajo foli edhe për nevojën e respektimit të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.


Në fjalën e saj, deputetja Teuta Sahatqija, e cila në legjislacionin e kaluar ishte kryetare e Grupit të Deputeteve të Kuvendit të Kosovës, pasi përshëndeti të pranishmit, theksoi se Kuvendi i Kosovës, në këtë rast, u bë Kuvend i grave nga të gjitha trojet, Kuvend ku nuk ka dallime gjeografike, partiake,profesionale,përkundrazi ka bashkime,bashkim të ideve, të aspiratave, bashkim të punës së bashkërenditur për fuqizimin e gruas. Në vijm ajo tha "Solidarizohemi me gratë që luftojnë për të pasur hisen e tyre nën këtë diell. Tetë Marsi është ditë kur pa marrë parasysh përkatësinë gjeografike, partiake,kombëtare, bëhemi bashkë në të vetmen agjendë, asgjendën e fuqizimit të gruas". Duke përmendur disa nga të arriturat në fushën e legjislacionit ajo përmendi faktin se Kosova tashmë ka Ligjin për barazinë gjinore,Ligjin kundër diskriminimit dhe Ligjin zgjedhor. Në këtë mënyrë krijohen mundësitë e përfshirjes së gruas në politikë dhe përfaqësimin e saj në Kuvendin e Kosovës dhe në kuvendet komunale, mirëpo kur është fjala për postet udhëheqëse gruaja përballet me tavanin e qelqtë. Në vijim ajo foli për përfaqësimin e grave në institucione e vendit, duke theksuar se Kosova udhëhiqet nga presidentja,ka një kryetar komune, nga 22 ministri vetëm dy udhëhiqen nga gratë, mga 14 kryetarë të komisioneve parlamentare , 4 janë gra, tri gra udhëheqin grupet parlamentare, ndërkaq, në Kryesine ë Kuvendit gra nënkryetare ka pasur nga komunitetet tjera , por jo nga partitë shqiptare.


Duke marrë pjesë në diskutim znj. Mesila Doda , deputete dhe kryetare e AGD-ës, theksoi se takimet e grave deputete po shndërrohen në traditë, duke bërë aleancën e grupeve të grave. Në vazhdim ajo tha se nga gratë janë ndërmarrë iniciativa që në Shqipëri të ndryshohet Kodi Zgjedhor, pastaj që 40 për qind e këshillave bashkiake të jenë femra. Gratë nuk janë kukulla ato duhet të bëhen bartëse të proceseve të gjithmbarshme. "Por ajo çka është më e rëndësishmja , ajo çka gratë shqiptare po i mësojnë burrat dhe pjesën tjetër të kombit është se gratë janë bashkim, janë tejkalim i pengesave dhe vështirësive, gratë mësojnë kombin të përparojë dhe të gjejë sfidat e përbashkëta për t' u afruar dhe zhvilluar", tha Mesila Doda.


Ministrja po portofol në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, në fjalën e saj theksoi se nëse grave iu hapen dyert, atëherë ato do të dëshmojnë se shoqëria nuk është e mirë nëse krijon barriera. Barazia në mes gjinive është e natyrshme, sepse femrat kanë dëshmuar edhe në rrugën e pavarësisë së Kosovës, se ishin shtyllë e rëndësishme, por kjo u dëshmua edhe në angazhimin e femrave në procesin e demokratizimit në Shqipëri, pastaj angazhimet në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës. Ajo tha se në Qeverinë e Kosovës nuk ka përfaqësim të duhur në të grave. Ajo u angazhua për më shumë gra edhe në pozita vendimmarrëse.


Monika Kryemadhi e përshkuar nga emocionet tregoi për rrethanat e favorshme që janë krijuar në relacionet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Avancimin e pozitës së gruas ajo e shihte si krijim të ambientit që mundëson realizimin e të drejtave të gruas, e jo si fushëbetejë. Në diskutimin e saj Albiona Ibrahimi foli për vështirësitë , në të cilat hasin të rinjtë nga Lugina e Preshevës në shkollim, sidomos kur është fjala për arsimimin superior, duke kërkuar që mos të ketë limite të regjistrimit të studentëve nga Lugina e Preshevës në universitetet e Kosovës. Ndërkaq, në vijim ajo foli për çështjen e mosfunksionimit të qendrës së maternitetit në Preshevë, me gjithë faktin se janë dhënë kontribute nga ana e Kosovës dhe Shqipërisë. Mosfunksionimin e kësaj qendre po e pengon Serbia. Në këtë situatë lindjet e grave shqiptare bëhen në Vranjë, ku pos vështirësive të tjera, certifikatat e lindjes lëshohen në gjuhën serbe dhe në alfabetin cirilik, që po iu nxjerr qytetarëve shumë probleme.


Vazhdimin e dytë të seancës së grave e udhëhoqi, Flora Brovina, e cila në fillim thekoi se gratë nuk ngurrojnë të marrin përgjegjësinë për sfidat e zhvillimit të gjithmbarshëm. Në vijim ajo shtroi nevojën e luftimit të dhunës ndaj grave, përfshirjen e saj në proceset zhvillimore,në punën menaxhuese, pozita udhëheqëse etj. Anashkalimin e grave ajo e ilustroi me faktin se në katër legjislaturat e kaluara të Kuvendit të Kosovës, asnjë anëtar nuk ishte nga radhët e femrave.


Alma Lama tha se Ditën Ndërkombëtare të Gruas, dalëngadalë po e kthejmë në një ditë kombëtare të gruas shqiptare. Në këtë kuadër gratë dhe vajzat shqiptare ngrenë zërin e përbashkët për më shumë barazi dhe dinjitet.


Përgjatë historisë gratë shqiptare janë dëshmuar me punë se janë komb formuese e shtetndërtuese. Edhe sot gratë shqiptare duhet të jenë të zëshme dhe të vendosura, kundër fenomeneve të errëta të njerëzimit, që kanë pllakosur një pjesë të planetit e që janë shndërruar në një kërcënim edhe për ne, edhe për të gjitha demokracitë perëndimore, që është ekstremizmi fetar.


Duke marrë pjesë në debat Donika Kadaj Bujupi tha se dita e sotme thërret, që përtej simbolikës që ka ky takim i jashtëzakonshëm, beteja jonë duhet të bëhet për ato mijëra gra, të cilat me fëmijë në krahë morën rrugët e migrimit ilegal, u bënë pre e trafikantëve dhe kontrabandistëve, sepse në shtetin e tyre mungoi mirëqenia, mungoi një vend pune edhe kur ajo ka diplomë. Dhuna po rritet, padrejtësitë sociale po ashtu. Duhet të luftohet për të drejtën e pronës, e cila vazhdon të ekzistojë në ligje, por nuk zbatohet, theksoi ajo.


Safete Hadërxhonaj tha se gruaja në Kosovën e pasluftës tregoi forcën e mbijetesës. Shumë gra që përjetuan tragjedinë e luftës gjetën forcën të mbajnë familjet, krijuan biznese të vogla familjare, u organizuan në OJQ, që bashkërisht të përballen me vështirësitë e ekzistencës. Me gjithë këta hapa pozitiv në biznes, në politikë, dhe në institucione, ende femrat në Kosovë nuk kanë zënë pozitat e fuqishme vendimmarrëse, nuk udhëheqin ndërmarrje të rëndësishme publike, nuk drejtojnë dikaster të fuqishëm ekonomik. Vetëm një femër drejton komunën dhe vetëm 2 femra drejtojnë ministritë, theksoi ajo.


Pjesëmarrëset e seancës me një minutë heshtje nderuan gratë e rëna gjatë luftës.


Në përfundim të debatit pjesëmarrëset miratuan këtë Deklaratë:"

Ne, gratë deputete nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Kuvendi i Republikës së Kosovës, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë dhe asambleistet shqiptare nga Mali i Zi, Presheva dhe Bujanoci, duke qenë të përkushtuara që në trojet tona të sigurohet respektimi i të drejtave të njeriut, si dhe ngritja në nivel më të lartë të demokracisë, deklarojmë:
- Angazhim gjithëpërfshirës për të përmbushur, objektivin 4 të Rezolutës për Parimet e Prishtinës, për sigurimin e pjesëmarrjes së gruas në shërbimin në kuotën deri në pesëdhjetë për qind. Parimet e kësaj Rezolutë të zbatohet në të gjitha institucionet qendrore dhe lokale, në sistemin gjyqësor, në atë edukativ, në bordet e ndërmarrjeve publike, dhe institucionet tjera të pavarura

- Përkushtimin tonë për jetësimin e instrumenteve ndërkombëtare për barazinë gjinore, duke i dhënë gruas rol më të fuqishëm në të gjithë sektorët e shoqërisë. Ne angazhohemi për hartimin e politikave dhe ndërtimin e kapaciteteve të institucioneve për t'u përgjigjur kërkesave të 8 objektivave të mijëvjeçarit.

- Për përkrahje arsimimit të gruas si dhe ngritjen profesionale dhe intelektuale të sajë. Në këtë drejtim të krijohen mundësit për shkëmbim të kuadrove. Për luftë të pa kompromis kundër dhunës ndaj gruas, trafikimit të qenieve njerëzore dhe dukurive që dëmtojnë integritetin dhe dinjitetin e gruas.

- Angazhim të fuqishëm të grave në vendimmarrje me qëllim që pabarazia gjinore të sanksionohet me ligj. Rol më të madh të gruas në udhëheqje me proceset e integrimit euroatlantik.

- Për promovimin e të drejtave të gruas dhe sensibilizimin e grave dhe burrave për arritjen e barazisë gjinore

- Iu bëjmë thirrje organizatave ndërkombëtare OKB-ës, Komisionit Evropian që të shtojnë presionin diplomatik mbi Serbinë, me qëllim të identifikimit dhe dënimit të kryesve të dhunimeve që kanë ndodhur nga forcat militare dhe paramilitare serbe gjatë kohës së luftës.

- Po ashtu ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë që të ushtrojnë ndikimin e tyre tek Qeveria e Serbisë dhe në institucionet e BE-së në Bruksel, që të hapet dhe të funksionalizohet materniteti në Komunën e Preshevës, si dhe të respektohen të drejtat e grave shqiptare në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, si e drejtë themelore e të drejtave të njeriut".

 

Seancë e përbashkët e deputeteve të Kuvendit të Republikës së Kosovës me deputetet nga Shqipëria dhe Maqedonia, si dhe gratë politikane nga Mali i zi dhe PreshevaSeancë e përbashkët e deputeteve të Kuvendit të Republikës së Kosovës me deputetet nga Shqipëria dhe Maqedonia, si dhe gratë politikane nga Mali i zi dhe PreshevaSeancë e përbashkët e deputeteve të Kuvendit të Republikës së Kosovës me deputetet nga Shqipëria dhe Maqedonia, si dhe gratë politikane nga Mali i zi dhe Presheva