Lajmet e fundit
Kryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti fjalim në Akademinë përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari
E Premte, 06.03.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot mori pjesë në Akademinë përkujtimore kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve dhe të rënëve për liri, që u mbajt në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, dhe mbajti fjalën e parë të rastit.
Gjatë fjalimit të tij, kryetari Veseli u bëri një përshkrim zhvillimeve të fillim-marsit në Prekaz, që kulmuan me sulmin e forcave serbe mbi familjen Jashari dhe rezistencën e kësaj të fundit kundruall trupave dhe makinerisë ushtarake e policore serbe.
Kryetari Veseli theksoi se konvoji i madh i forcave të blinduara serbe, i cili nga veriu po hynte në qytetin e Mitrovicës, u nis rrugës së vjetër, andej nga ishin nisur dikur, për të shtypur lëvizjen e Azem Galicës, më pas kryengritjen e Shaban Polluzhës dhe vite më vonë, për të vrarë Tahir Mehën.
"Sërish rruga po i shpinte në Prekaz. Urdhrin e kishin të prerë: Adem Jashari duhej të eliminohej dhe Prekazi të shndërrohej në tokë të djegur. Qëllimi final: të shuhej Ushtria Çlirimtare e Kosovës nga rrënjët. që shqiptarët të harronin idenë se mund të fitonin lirinë. Tymi dhe zjarri mbuloi gjithçka. Në Prekaz po rishfaqej drama e popujve të shtypur: Lufta në mes të mirës dhe të keqes. Adem Jashari po binte, që të ngrihej Kosova", theksoi kryeparlamentari Veseli.
Kreu i Kuvendit të Kosovës tha se personalitete të mëdha historike janë ata që veprojnë në përputhje me nevojat e historisë, e figura e Adem Jasharit e ka këtë përmasë.
"Ai e kuptoi, më mirë nga të gjithë ne, se çfarë kërkonte momenti historik. Kosova nuk mund të mbyllte shekullin e 20-të duke qenë e robëruar. Adem Jashari e dinte se hapi i parë drejt çlirimit është mposhtja e frikës, sepse frika është instrumenti kryesor i sundimit të tiranëve dhe diktatorëve".
Në vazhdim të fjalës së tij, kreu i legjislativit tha se atë ditë, në mëngjesin e acartë të 5 marsit 1998, ishin bërë dy llogari, prej të cilave do të varej krejt rrjedhja e historisë së Kosovës. Njëra ishte llogaria e regjimit serb: me eleminimin e Adem Jasharit do të merrte fund lëvizja e rezistencës së armatosur, që po rritej dita-ditës gjithandej Kosovës. Llogaria tjetër ishte e Adem Jasharit: rezistenca me çdo çmim do t'i bashkonte shqiptarët si asnjëherë më parë gjatë historisë së tyre, do të bashkonte botën demokratike që nuk mund të duronte barbarinë tek dyert e saj, dhe ky bashkim do të sillte lirinë.
"Të gjithë e dimë se çka ndodhi më pas: historia i dha të drejtë Adem Jasharit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Një vit më pas, Kosova u shfaq në anën e ndritshme të historisë: ajo u bë e lirë dhe rigjeti lidhjen e saj të natyrshme në botën perëndimore", theksoi Veseli.
Duke folur për Kosovën 17 vjet pas rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari, kryetari i Kuvendit theksoi se ajo është e lirë, shtet i pavarur dhe sovran, në themele të të cilit është mundi dhe gjaku i Adem Jasharit, i lagjes martire të Jasharajve dhe mijëra dëshmorëve e martirëve anë e kënd Kosovës.
Z. Veseli shtoi se sot, siguria kombëtare për Kosovën do të thotë integrim në familjen e madhe të Bashkimit Evropian dhe anëtarësim në NATO.
"Nëse dje dinjiteti ishte t'i rezistojmë shtypjes, sot dinjitet kombëtar do të thotë të jemi të zhvilluar. Liria pa zhvillim nuk është e plotë. Vetëm kur ta arrijmë këtë ne do të mund të qëndrojmë ballëhapur para kujtimit dhe sakrificës mbinjerëzore të Adem Jasharit", tha ndër të tjera në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Të pranishmit, me një fjalë i përshëndeti edhe përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari.