Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Premte, 06.03.2015
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetarja e komisionit, Teuta Sahatqija, anëtarë të komisionit zhvilluan një takim me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe përfaqësuesin special të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.
Temë diskutimi në këtë takim ishte Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, liberalizimi i vizave, çështja e migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës, si dhe procesi i anëtarësimit të Republikës së Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.
Filimisht, kryetarja e komisionit, Teuta Sahatqija, duke ngritur shqetësimin e saj lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën tha se liberalizimi i vizave, veç tjerash do ta kishte parandaluar edhe procesin e parregullt të migrimit të qytetarëve të Kosovës, ndërkaq kërkoi që Kosova të trajtohet sikurse shtetet tjera si përfituese e liberalizimit të vizave. Tutje, Sahatqija kërkoi sqarime nga Zhbogar edhe lidhur me procesin e nënshkrimit të MSA-së.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, pasi foli për programin e punës së Komisionit për Integrime Evropiane, diskutoi edhe për bashkëpunimin e këtij komisioni parlamentar me KE-në, me theks të veçantë në procesin e draftimit të ligjeve që ka të bëjë me përafrimin e legjislacionit të BE-së.
Sa i përket MSA-së, Zhbogar tha se BE-ja është e interesuar që të punojë me Kosovën dhe se MSA-ja është si rezultat i këtij bashkëpunimi.
"Marrëveshja është duke u përkthyer në të gjitha gjuhët e BE-së dhe pritet që kjo të përfundojë në muajin prill. Pastaj marrëveshja duhet të pranohet nga KE-ja dhe tutje duhet të ndodh aprovimi i saj nga shtetet anëtare. Nënshkrimi mund të bëhet rreth verës, ndërkaq traktati duhet të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2016", tha Zhbogar.
Më tej ai foli edhe për procesin e liberalizimit të vizave, duke mos u pajtuar në kritikat e anëtarëve të komisionit se vala e madhe e migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës ka ndodhur për shkak të mosliberalizimit të vizave. Zhbogar tha se numri i atyre që po e lëshojnë Kosovën është zvogëluar, mirëpo sipas tij shkalla e pakënaqësisë se popullatës është në rritje e sipër .
"Populli i Kosovës është i pakënaqur me atë që kanë bërë qeveritë e kaluara dhe akoma nuk është i kënaqur me atë se çfarë po bënë qeveria e tanishme", tha Zhbogar.
Tutje ai foli edhe për programin e qeverisë duke e vlerësuar atë si një program të mirë, ndërkaq kërkoi që të përfshihen të gjithë akterët në mënyrë që ky program të implementohet tërësisht dhe të jetë i suksesshëm. Ai tha se shpreson se ky plan do t'ia rrisë optimizmin qytetarëve të Kosovës.
"Kosova është i vetmi vend në rajon që ka nevojë për viza dhe e kuptoj që nuk është ndjenjë e mirë që të ndjeheni të diskriminuar, por shpresoj që ky proces të përfundojë shpejt dhe se pas raportit që do ta marrim nga Kosova do të kemi lajme të mira", tha ai, duke folur më tej edhe për takimin ministror të Ballkanit Perëndimor që do të ndodhë në Prishtinë.
Anëtari i Komisionit Ilir Deda, paraqiti zhgënjimin e madh për marrëveshjen e arritur në Bruksel, në fushën e gjyqësisë, ndërsa shprehu edhe shqetësimin e tij lidhur me liberalizimin e vizave, duke shtuar se Kosova është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që nuk ka pasur lehtësi në procesin e liberalizimit të vizave, duke i quajtur këto procedura si burokratike. Ndërkaq, zëvendës kryetarja e parë e këtij komisioni, Valdete Bajrami, pasi foli për çështjen e liberalizimit të vizave, kërkoi sqarime nga Zhbogar lidhur me ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në misionin e EULEX-it, për rastin "Kleçka", duke vlerësuar se EULEX- ka dështuar në fushën e drejtësisë.
Më tej nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, kërkoi sqarime nga shefi i zyrës së BE-së në Kosovë që të ndihmojë në ripërpilimin e Ligjit për investime të jashtme, me qëllim që të lehtësohen maksimalisht mundësitë e afaristëve që vijnë nga jashtë, për shkak të zbutjes së papunësisë.
Haliti kërkoi sqarime edhe lidhur me pengesat e liberalizimit të vizave, përveç shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën. Ndërsa, Arben Gashi, kërkoi informata nga Zhbogar nëse zyra e BE-së ka ndonjë rol në zbatimin e marrëveshjeve që bëhen mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe nëse ata kanë përpiluar ndonjë raport se deri ku është arritur me zbatimin e këtyre marrëveshjeve.
Anëtarë të Komisionit shqyrtuan dhe përkrahën Projektligjin nr. 05/L-02 për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit, me amendamentet e Komisionit funksional, nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, për procedim në seancë plenare.