Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale
E Mërkure, 04.03.2015
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, kryesuar nga Besnik Bislimi, mbajtën sot dëgjim publik lidhur me Raportin e Auditimit të Sistemeve të Prokurimit në Sektorin Shëndetësor. Të ftuar në këtë takim ishin ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani dhe përfaqësues tjerë të kësaj ministrie, zv.auditori i Përgjithshëm, Artan Venhari, drejtori ekzekutiv i shërbimit spitalor Klinik Universitar, Curr Gjocaj, si dhe përfaqësues të KDI-së.
Fillimisht ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani sqaroi se ky raport është realizuar në kohën kur ai nuk ishte në detyrën e ministrit, megjithatë ministri Rrahmani shtoi se raporti është shqyrtuar më vëmendje nga ai dhe se janë të vetëdijshëm për të gjeturat dhe sfidat që kjo ministri do të ndërmarrë drejt eliminimit të këtyre të gjeturave.
"MSH-ja ka adresuar të gjeturat dhe disa rekomandime janë përmbushur. Janë 4-5 rekomandime që ministria i ka marrë me seriozitet dhe ka formuar grupin punues, si dhe ka bërë Planin e Veprimit në mënyrë që të eliminohen mangësitë që janë hasur", tha ministri Rrahmani, duke sqaruar më tej se Qeveria ka një plan të prokurimit online dhe se në pjesën e dytë të këtij viti do të implementohet ky projekt, pjesë e së cilës do të jetë edhe MSH-ja. Ndërkaq, ai foli edhe për problemet dhe vështirësitë në të cilat është duke hasur QKUK-ja , me theks të veçantë me aparatura dhe me barna.
Në raportin e ZAP-it është vlerësuar se sistemi i prokurimit në sektorin e shëndetësisë është duke iu nënshtruar një reforme thelbësore dhe se në kuadër të reformës, Ministria e Shëndetësisë do të udhëheqë çështjet strategjike dhe ato që kanë të bëjnë me politikat. Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë ka filluar reformimin në sektorin shëndetësor dhe në sistemin e prokurimit.
Me këtë rast zëvendës Auditori i Përgjithshëm, Artan Venhari, sqaroi se në këtë raport është theksuar numri i madh i problemeve që kanë hasur në këtë ministri. "Synimi ynë ka qenë nëse kjo reformë do të mund të zgjidhte problemet që kanë hasur në këtë kaluarën. Janë dhënë një numër i rekomandimeve se si kjo reformë mund të ecë përpara", tha Venhari, duke sqaruar se nga MSH-ja kanë marrë një Plan të Veprimit dhe se në periudhën në vijim do të shikojnë implementimin e tyre.
"Me këtë reformë është bërë një ndarje e detyrave më e mirë dhe e obligimeve, andaj shpresojmë që do të rritet efektiviteti në sektorin shëndetësor", tha Venhari.
Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Besnik Bislimi, kërkoi sqarime nga të pranishmit nëse kanë arritur të sqarohen paqartësitë mes ZAP-it dhe MSH-së lidhur me rekomandimet e dala, si dhe kërkoi sqarime lidhur me Planin e Veprimit. "Ne nuk kemi parë rezultate, por vetëm aktivitete", tha Bislimi.
Ndërsa, anëtarja e Komisionit për Shëndetësi Besa Baftiu tha se bazuar në të gjeturat nga ZAP-i tregohet qartë se në çfarë gjendje të mjerueshme është sistemi i prokurimit në sektorin e shëndetësisë. Baftiu kërkoi sqarime për sistemin informativ të shëndetësisë, përpilimin e listave esenciale të barnave, si dhe kërkoi që të verifikohet çështja e përpilimit të këtyre listave nga Komisioni.
Njomza Emini duke numëruar të gjeturat nga raporti i ZAP-it në fushën e prokurimit, tha se kjo çështje po përsëritet çdo vit dhe kërkoi sqarime lidhur me adresimin e të gjeturave.
Ndërsa, Bali Muharremaj, pyeti ministrin Rrahmani nëse reformat në sistemin shëndetësor do të bëhen me stafin e vjetër dhe kërkoi të dhëna lidhur me pengesat dhe vështirësitë kryesore për menaxhimin e reformave.
Ndërsa, Time Kadriaj, tha se MSH-ja nuk ka qenë e interesuar që të implementojë rekomandimet dhe shtoi se në planifikimin e nevojave me barna ka parregullsi, duke përmendur afatin e skaduar të barnave. Kadriaj vlerësoi se institucionet shëndetësore nuk janë furnizuar as me 40 për qind me barna.
Ali Sadriu, duke përmendur raportin kthyes të kësaj ministrie vlerësoi se
MSH -ja ka ndërmarrë disa veprime të cilat nuk janë analizuar. Ai përmendi me këtë rast mbetjet financiare. Ndërsa, inkurajoi ministrin Rrahmani se do ta kenë mbështetjen e tyre sa i përket rregullimit të sanitareve në nivelin e duhur dhe shtoi se duhet të finalizohet puna në këtë proces. Tutje, ai kërkoi sqarime të shumta nga ministri Rrahmani për problemet me aparatura në institucionet shëndetësore.
Me këtë rast folën edhe përfaqësues nga KDI, të cilët kanë realizuar një raport monitorimi në fushën e shëndetësisë, me theks të veçantë në
prokurimin publik. Ata vlerësuan se për një periudhë tre vjeçare kanë hasur në një numër të madh të problemeve. Sipas tyre në planifikimin e harxhimeve të MSH-së dhe në hartimin e listës esenciale ka mungesë të monitorimit të kontratave dhe se ka dështime të vazhdueshme në tender.
Ndërkaq, kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Flora Brovina, kërkoi informata nga ministri i MSH-së lidhur me listat esenciale të barnave, me theks të veçantë krahasimin me vendet fqinje.
Ndërsa, Fikrim Damka, kërkoi të dhëna nga përfaqësues të MSH-së lidhur me afatin e stendave, si dhe për hapat konkret që ka ndërmarrë kjo ministri për gabimet në fushën e barnave.
Synavere Rysha, kërkoi që të adresohen të gjeturat e auditorit në afat sa më të shkurtër, ndërkaq shtoi se parregullsitë në këtë ministri po përsëriten çdo vit.
Edhe Hajdar Beqa tha se në këtë raport janë paraqitur shumë shqetësime dhe se të gjeturat janë përsëritur dhe shtoi se nuk ka vërejtur se MSH-ja ka ndërmarrë masa ndaj atyre zyrtarëve që kanë bërë shkelje. Tutje ai kërkoi që të ketë llogaridhënie nga menaxherët e kontratave.
Hatim Baxhaku po ashtu shprehu shqetësimin e tij për mospërputhjen e stoqeve dhe në planifikimin e furnizimit të barnave nga lista esenciale, duke e vlerësuar si planifikim të dobët.
Ndërsa, Shukrije Bytyqi kërkoi sqarime nga ministri lidhur me specializantët si dhe lidhur me Agjensionin Kosovar për Produkte Medicinale.
Krejtësisht në fund, kryetari i Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, Besnik Bislmi, sqaroi se Komisioni do të përpilojë disa rekomandime lidhur me hapat e mëtejmë që duhet të ndërmarrë MSH-ja, si dhe do të kërkojnë një raport kthyes nga ZAP-i lidhur me realizimin e rekomandimeve të komisionit për MSH-në.