Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

E Hënë, 02.03.2015




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Integrime Evropiane , të kryesuar nga kryetarja e komisionit, Teuta Sahatqija, ka raportuar ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, lidhur me migrimin ilegal të qytetarëve të Kosovës dhe përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.
Duke u ndërlidhur fillimisht me çështjen e migrimit ilegal të qytetarëve të Kosovës, ministri Hyseni vlerësoi se arsyeja kryesore e largimit të qytetarëve nga Kosova janë kushtet ekonomike. Megjithatë, ai ka shtuar se numri i madh i imiguesve të parregullt është edhe si pasojë e marrëveshjes së arritur në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë për lëvizje të lirë.
"Këto arsye nuk do të zhbëhen brenda natës, nuk do të ndodhin mrekulli brenda javës, këto duhet të adresohen për një kohë më afatagjate me programe të qëndrueshme të rimëkëmbjes ekonomike, të zhvillimit , të forcimit të sektorit privat, të gjenerimit të vendeve të reja të punës dhe të shtimit të të ardhurave personale", tha Hyseni, duke sqaruar për ata të cilët kanë marrë rrugën në mënyrë ilagele në zonat e vendeve të shengenit, se nuk ka gjasa për të fituar azil. "Shpreh keqardhjen time për vuajtjet që përjetojnë ata njerëz, meqë kërkesa për azil u refuzohet dhe pjesa dërmuese e tyre kthehen më të varfër se sa kanë shkuar", tha Hyseni duke shtuar se kthimi i tyre do të intensifikohet gjatë ditëve në vijim.
Anëtarë të Komisionit kanë shtruar një varg çështjesh për ministrin Hyseni duke shprehur edhe shqetësimin e tyre lidhur me migrimin ilegal. Ata kërkuan sqarime edhe lidhur me masat që ka ndërmarrë kjo ministri për me personat e kthyer në vend. Me këtë rast, ministri Hyseni ka sqaruar se mund të kërkojë edhe rishikim të buxhetit për rritjen e fondit për këtë kategori.
Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, ministri Hyseni tha se MPB-ja do t'i plotësojë të gjitha kriteret e kërkuara nga KE-ja deri në muajin maj të këtij viti.
"Kam theksuar se liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodhë sa më shpejtë dhe nuk duhet vetfajësuar se Kosova nuk i ka plotësuar kriteret të cilat kërkohen nga BE-ja. Çështja e liberalizimit të vizave nuk është më vetëm në rrafshin e përmbushjes së kritereve teknike që dalin nga udhërrëfyesi, por kjo shkon përtej këtyre kritereve, meqë kjo tashmë është bërë çështje politike", tha ministri i MPB-së, Skender Hyseni.

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane