Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit, dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit
E Hënë, 02.03.2015
Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit, dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, kryesuar nga kryetarja Albulena Haxhiu, u diskutua lidhur me nismën e Komisionit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Mospjesëmarrja e përfaqësuesve të Gjykatës Kushtetuese në këtë takim, u kritikua nga kryetarja e e komisionit. Me këtë rast Haxhiu vlerësoi se kjo është papërgjegjësi e përfaqësuesve të Gjykatës Kushtetuese përballë Kuvendit, ndërkaq shpalosi rekomandimin e Avokatit të Popullit lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe se këto rekomandime sipas Haxhiut kanë bazë ligjore për nismë legjislative.
Në vijim, Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, shpalosi në detaje rekomandimet e këtij institucioni lidhur me këtë çështje.
"Qëllimi i raportit është ndryshimi dhe plotësimi i ligjit për Gjykatën Kushtetuese, përkatësisht neni 30 i këtij ligji që parasheh afatin për ngritjen e rasteve të palëve të autorizuara, të përcaktuara në nenin 113, pika 2 të Kushtetutës, lidhur me përputhshmërinë e ligjeve, dekreteve të Presidentit dhe të Kryeministrit, rregulloreve të Qeverisë dhe statusit të komunave, me Kushtetutën , 6 muaj e hyrjes në fuqi e aktit të kontestuar dhe akti i kontestuar nuk kufizohet në ligj, por në çdo akt tjetër që nxirret", tha Kurteshi, duke sqaruar se pas analizave të shumta të këtij institucioni kanë konsideruar se ky kufizim prej 6 muaj i aktit të kontestuar është jo proporcional dhe është në kundërshtim me përvojat e vendeve të rajonit dhe atyre evropiane.
Kurteshi e vlerësoi si të domosdoshme fillimin e procedurave për ndryshimin e këtij ligj, duke konsideruar që të hiqet tërësisht kufizimi për Avokatin e Popullit me nxjerrjen e akteve nënligjore dhe administrative. "Kosova nuk mund ta ketë një ligj që nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe Kushtetutën. Kemi gjetur shumë fakte dhe dëshmi se kjo është e gabuar. Avokati i Popullit dhe akterët tjerë nuk mund ta referojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese për arsye se paska një kufizim 6 mujor procedural", tha Kurteshi, duke paraqitur riformulimin e këtij neni.
Anëtarët e Komisionit gjatë diskutimit për këtë çështje shprehën gatishmërinë e tyre për nismën e Komisionit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Ata u dakorduan që të përpilojnë një raport dhe në njërën nga mbledhjet e komisionit të fillojnë me procedurat për ndryshimin e këtij ligji.
Tutje, anëtarë të Komisionit shqyrtuan edhe propozimet për emërimin e anëtarëve të Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës. Ata theksuan faktin se këto propizime duhet t'i kthehen Ministrisë së Drejtësisë për verifikim, meqë disa nga ta nuk i plotësojnë kriteret për emërim në këtë Komision. Megjithatë, kjo çështje mbeti të diskutohet në mbledhjen tjetër të radhës.