Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturё, Rini dhe Sport
E Premte, 27.02.2015
Diskutimi lidhur me akreditimin e institucioneve të arsimit të lartë, ishte temë e mbledhjes së Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturё, Rini dhe Sport, të kryesuar nga Nait Hasani, kryetar i Komisionit. Në këtë mbledhje ishte ftuar Ferdije Zhushi - Etemi, kryetare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
Kryetari i Komisionit falënderoi znj. Zhushi për prezencën e saj, ndërsa e njoftoi për aktivitetet e deritashme të këtij Komisioni, siç janë vizitat në institucionet e arsimit të lartë, takimet me bartësit e udhëheqjes së universiteteve dhe Rektoratit, si dhe takimet me bartësit e përfaqësuesve të arsimit privat.
Duke i njoftuar anëtarët e Komisionit për rrjedhat e gjithmbarshme të këtij Këshilli, Ferdije Zhushi - Etemi në fillim paraqiti një historik të zhvillimit të këtij institucioni, i cili veprimtari kryesore ka vlerësimin e cilësisë së arsimit të lartë. Puna e këtij agjensioni, i cili ka filluar punën në vitin 2008, theksoi ajo, është publike, ndërsa vendimet e tij publikohen në WEB faqen e këtij Agjensioni. Znj. Zhushi theksoi se vendimet miratohen nga ana e Këshillit të Cilësisë e jo nga Qeveria. Kjo agjenci bënë vlerësimin nga jashtë dhe trajton aplikacionet. Sfidë për këtë agjenci është përballimi i shpenzimeve gjatë procesit të vlerësimit të programeve të institucioneve të larta arsimore dhe pagesës së ekspertëve nga jashtë. Duke folur për procesin e akreditimit të institucioneve arsimore ajo tha se ky agjension i lëshon certifikatat dhe vendimet e akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë , ndërsa Ministria e Arsimit lëshon licencat.
Në vijim u ngritën shumë pyetje nga ana e anëtarëve të Komisionit, të shoqëruara edhe me vërejtje të ndryshme sa i përket rrjedhave të gjithmbarshme në arsimin e lartë. Duke u përgjigjur në këto pyetje z. Zhushi theksoi se Këshillit Shtetëror të Cilësisë në veprimtarinë e vet nuk ka lejuar të bjerë pre e ndikimeve politike. "Për ne kryesore është cilësia në arsim, por nuk jemi të kënaqur me organizimin e punës në këto institucione. Agjensioni ballafaqohet edhe me shantazhe, është akuzuar edhe për korrupsion, por kjo është bërë nga ana e atyre që kanë dashur të na korruptojnë, e nuk e kanë arritur këtë", theksoi ajo.
Në vazhdim Ferdije Zhushi - Etemi, foli edhe për pengesat që i bëhen këtij institucioni për anëtarësim në institucionet ndërkombëtare. Ajo tha se është bërë edhe fushatë ndaj saj, ndërsa duke folur për vendimet që merren nga ky agjension, theksoi se ato merren nga ana e Këshilli, e jo një njeri.
Një sfidë tjetër e institucioneve të arsimit të lartë, tha znj. Zhushi, është çështja e infrastrukturës, sidomos në disa fakultete me numër më të madh , siç është Fakulteti Juridik, ndaj apeloi që të bëhen më shumë investime në këtë aspekt. Ajo në vijim ngriti edhe çështjen e kuadrove që kanë marrë tituj të lartë në vende të ndryshme të botës, duke bërë thirrje që të hapën dyert e fakulteteve për ta. Ndërkaq, sa i përket çështjes së emërtimit të kolegjeve si universitete, ajo theksoi se duhet të zbatohen ligjet dhe Ministria e Arsimit duhet të veprojë. Sa i përket Universitetit të Graçanicës, i cili u tha se është hapur dhe vepron pa asnjë procedurë, ku mbrohen madje edhe teza të doktoratës, znj Zhushi tha se ai vepron pa akreditim. U përmend edhe rasti i universitetit "Anadollu", i cili gjithashtu vepron, edhe pse nuk është i akredituar. Me këtë rast u ngrit edhe shqetësimi se pse hapen degë në institucione të arsimit për kuadro, për të cilat nuk ka nevojë tregu aktualisht në vendin tonë.