Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së
E Premte, 27.02.2015
Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, të kryesuar nga kryetari i komisionit Daut Haradinaj, raportoi sot ministri i FSK-së, Haki Demolli, komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, si dhe sekretari i MFSK-së, Shkelzen Syla.
Pas prezantimit të raportit vjetor të FSK-së për vitin 2014 dhe pas diskutimit të gjerë të anëtarëve të Komisionit për çështje të ndryshme, në këtë takim me theks të veçantë u diskutua lidhur me procesin e transformimit të FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës.
Me këtë rast, ministri Demolli, para anëtarëve të Komisionit theksoi faktin se ka përfunduar draft-ligji për transformimin e FSK- së në FAK dhe se ky draft gjatë javës së ardhshme do të procedohet në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Sipas Demollit para miratimit të këtij ligji në Kuvend, duhet të bëhet edhe amendamentimi i Kushtetutës.
Demolli mes tjerash ka folur edhe për një varg marrëveshjesh të nënshkruara dhe që do të nëshkruhen në të ardhmen nga ky institucion. Pasi foli edhe për memorandumet më shtetet tjera dhe për integrimin e FSK-së në institucione ndërkombëtare, Demolli shpalosi synimin e FSK-së drejt anëtarësimit të plotë në NATO.
Përfaqësues të MFSK-së, mes tjerash theksuan se ky institucion ka shpenzuar 97.7 për qind të buxhetit të planifikuar dhe se janë implementuar mbi 96 për qind të aktiviteteve të planifikuara.