Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik

E Premte, 27.02.2015




Në përpjekje për të nxjerrë një ligj sa më adekuat për ndërmarrjet publike, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, kryesuar nga, Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit, mbajti sot dëgjim publik.

Në këtë debat në të cilin morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Institutit GAP, të INDEP-it, Asociacionit të komunave të Kosovës, menaxhues të ndërmarrjes "Trepça", KPMM-së dhe përfaqësues të Grupit për Studime Juridike, u dakordua që neni 3, përkatësisht pika 11.3 e Projektligjit duhet ndryshuar. Ky nen, u tha gjatë diskutimit, duhet të mbrojë interesat nacionale të vendit dhe po ashtu, të ruhet e drejta dhe autoriteti i komunave kundruall ndërmarrjeve të caktuara publike.

Në këtë takim është vënë në pah rëndësia e miratimit të Projektligjit edhe për shkakun se me të është evituar likuidimi i ndërmarrjen "Trepça", si pasojë e vendimit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës.

U diskutua po ashtu edhe për nenin 7 të projektligjit, i cili përcakton përbërjen e bordeve të ndërmarrjeve.

Anëtarët e komisionit vlerësuan se Ligji për ndërmarrjen "Trepça", i paraparë me këtë projektligj, si dhe strategjia për zhvillimin e kësaj ndërmarrjeje, duhet të procedohen sa më shpejt në Kuvend.

 

 

 Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik