Lajmet e fundit

Komisioni për Buxhet dhe Financa

E Premte, 27.02.2015




Shqyrtimi i Kërkesës së Ministrisë së Diasporës për aprovimin e pagesës në paradhënie për financimin e projekteve të Ministrisë, ishte pikë e parë e rendit të ditës së mbledhjes së sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i Komisionit. Në këtë mbledhje , në të cilën mori pjesë edhe zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Agim Krasniqi,prezantimin e kësaj kërkese e bëri Mentor Borovci, ushtrues i detyrës së sekretarit të Ministrisë së Diasporës, duke kërkuar që kjo kërkesë të përkrahet nga ana e Komisionit, pasi nga përmbushja financiare e saj varet realizimi i shumë projekteve të kësaj ministrie në diasporë. Në debatin e gjerë rreth kësaj çështjeje, ndihej interesimi për të krijuar mundësi për realizimin e projekteve të kësaj ministrie, mirëpo sipas diskutuesve, ajo bie në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi. Në përfundim të debatit, Komisioni propozoi që këtë kërkesë ta shqyrtojnë edhe njëherë Ministria e Financave dhe Ministria e Diasporës dhe të shikojnë mundësitë e financimit të këtyre projekteve në pajtim me rregullativën ligjore në fuqi.


Në vijim Komisioni kishte në rendin e ditës shqyrtimin e Raportit të Shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2014. Pas debatit, Komisioni e përkrahu Raportin dhe njëherësh vendosi që këtë Raport ta procedojë më tej në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës.

 

 

Komisioni për Buxhet dhe Financa