Lajmet e fundit
Nga mbledhja plenare e Kuvendit
E Enjte, 26.02.2015
Në mbledhjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, (një pjesë u kryesua nga nënkryetari i Kuvendit Sabri Hamiti), deputetët fillimisht ngritën çështje të ndryshme lidhur me zhvillimet aktuale në vend, ndërkaq pyetjeve të tyre iu përgjigjën zv.kryeministri dhe ministri i MKRS-së, Kujtim Shala, si dhe ministrat: Haki Demolli, Ferid Agani , Memli Krasniqi, Mahir Yagcilar dhe Arsim Bajrami.
Ndërkaq, duke u ndërlidhur me çështjet që u ngritën nga deputetët, kryeministri Mustafa në diskutimin e tij, tha se Qeveria e Republikës së Kosovës e ka aprovuar programin qeverisës, i cili do të dërgohet në Kuvend. Ai tha se me këtë program janë krijuar kushtet për zhvillim e punësim, ndërsa sa i përket kritikave të deputetëve për bordet e ndërmarrjeve publike, Mustafa tha se do të kërkohen edhe raportet e këtyre ndërmarrjeve publike dhe shtoi se Kuvendi është institucioni që vlerëson performancën e këtyre kompanive publike, duke theksuar më tej se nuk është mirë që të politizohen bordet e kompanive publike.
Duke folur për njehsorët e energjisë elektrike, kryeministri tha se hetimet janë duke u zhvilluar nga prokuroria dhe se pas mbylljes së tyre, Kuvendi do të informohet për këtë çështje. Sipas tij Kuvendi do të informohet edhe sa i përket cilësisë së grurit dhe miellit, meqë siç tha kryeministri Mustafa, kanë kërkuar që të formohet një komision i veçantë për të ndërmarrë masa lidhur me këtë çështje dhe se do të bëhet ekzaminimi i cilësisë së miellit, meqë mostrat e miellit do të dërgohen në vendet e BE-së.
Ai foli edhe për formimin e Gjykatës Speciale dhe mes tjerash tha se është duke u punuar në tekstin e ndryshimit të Kushtetutës, i cili do të sillet në Kuvend, si dhe është duke u punuar në tekstin e ligjit mbi Gjykatën Speciale dhe të statusit të saj. Kryeministri Mustafa tha se të gjitha këto dokumente do t'i keni në Kuvend për të diskutuar dhe gjatë procesit do të kërkohet edhe qëndrimi i opozitës.
Kryesuesi i seancës Sabri Hamiti ka tërhequr vërejtjen që në mungesë të mospjesëmarrjes së kabinetit qeveritar, nga 38 pyetje të deputetëve që u shtruan, vetëm 9 sosh kanë marrë përgjegjje nga kabineti qeveritar.
Në vijim, deputetët shqyrtuan propozimin për emërimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Me këtë rast në emër të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, foli kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu, e cila sqaroi se në mungesë të procedurave ligjore dhe kushtetuese, komisioni ka kërkuar listën nga KGJK-ja me emrat e të gjithë gjyqtarëve, me kërkesën që në listë të mos përfshihen gjyqtarët të cilët janë nën hetime ose që ka masa disiplinore ndaj tyre.
Sipas saj Komisioni ka vlerësuar se kandidatët Nehat Idrizi, (nga Gjykata Themelore në Prishtinë) Armend Berisha (nga Gjykata Themelore në Pejë) dhe Gjemshit Galushi (Gjykata Themelore në Prizren) i plotësojnë kushtet për t'u emëruar nga Kuvendi anëtarë të KGJK-së.
Selvije Halimi duke folur në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, si dhe Armend Zemaj, në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, përkrahën rekomandimin e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Ndërkaq, Albulena Haxhiu, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje tha se kundërshtojnë fuqishëm procedurën e përshpejtuar me procedimin e këtyre emrave, meqë shtoi ajo ka informata se njëri nga kandidatët e propozuar është nën hetim disiplinor dhe kërkoi që kjo çështje të shtyhet derisa Komisioni për Legjislacion të ketë informata se ndaj këtyre gjyqtarëve nuk ka asnjë hetim disiplinor,
Edhe Daut Haradinaj duke folur në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së kërkoi që kjo çështje të shtyhet deri në verifikim . Ndërsa, Haxhi Shala, nga Grupi Parlamentar Nisma tha se mbështesin kompletimin e KGJK-së.
Selvije Halimi theksoi se në Komisionin për Legjislacion nuk ka pasur informata zyrtare se ndaj ndonjërit kandidatë është ngritur masë disiplinore.
Kuvendi me shumicë votash emëroi anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me mandat pesë vjeçar.
Deputetët e shqyrtuan dhe përkrahën propozimin për emërimin e Rexhep Gashit, anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës.
Në vijim, kryesuesi i mbledhjes, nënkryetari Hamiti, njoftoi deputetët se deputetja Melihate Tërmkolli që nga 14 shkurti i këtij viti i bashkangjitet Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kuvendi formoi edhe Komisionin Ad hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.