Lajmet e fundit

Nga Komisioni për Bujqësi

E Mërkure, 25.02.2015




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, të kryesuar nga, Fikrim Damka, ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), të cilët raportuan lidhur me cilësinë e grurit dhe produkteve të tij të importuara.

Zv. drejtori i AUV-it, Naser Krasniqi, tha se gruri i importuar, i plotëson të gjitha kriteret fitosanitare dhe është i sigurt për tu përdorur si ushqim. Duke iu referuar importit të realizuar gjatë këtij viti, Krasniqi njoftoi se nga 429 maunat me grurë të importuar deri më tani, 79 prej tyre i janë nënshtruar testit fitosanitar. Rezultatet, tha në vijim ai, janë kryer në Institutin Bioteknik të Bujqësisë në Pejë, si i vetmi institucion në vend, i certifikuar për kryerjen e analizave të tilla.

Duke iu përgjigjur anëtarëve të komisionit, të cilët ngritën dyshime lidhur me cilësinë e analizave të këtij institucioni, përfaqësuesi i AVU-së, u shpreh se Instituti Bioteknik i Bujqësisë në Pejë, është kredibil dhe i besueshëm për kryerjen e analizave të tilla. Për tu siguruar se gruri i importuar është i cilësisë së kënaqshme, ai i ftoi anëtarët e komisionit që të iniciojnë dërgimin e mostrave të grurit për analiza në ndonjë institut ndërkombëtar të certifikuar.

Anëtarët e komisionit, Shaip Muja dhe Sali Salihu, shprehën dyshimin se gruri i importuar nga Serbia është i rezervave të këtij shteti. Ata po ashtu u shprehën se, importuesit, për të evituar obligimet e TVSH-së, këtë mall në doganë e deklarojnë si ushqim për kafshë. Për sa i përket çështjes së doganës, përfaqësuesi i AUV-it, tha se nuk kanë njohuri, ndërsa sqaroi se kontrolli i grurit bëhet në bazë të certifikatës fitosanitare. "Deri më tani, asnjëherë nuk është bërë kontroll i grurit të importuar si ushqim i deklaruar për kafshë", tha zv. drejtori i AUV-it, Naser Krasniqi.

Në fund të këtij takimi, komisioni vlerësoi se për tu informuar më hollësisht për këtë çështje, duhet të vizitohet AUV-i, Dogana e Kosovës dhe Instituti Bioteknik i Bujqësisë në Pejë.

 

Nga Komisioni për Bujqësi