Lajmet e fundit
Kryetari Veseli takoi asamblistët shqiptarë nga komunat veriore të Kosovës
E Mërkure, 25.02.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, ka takuar sot asamblistët shqiptarë të komunave veriore të Republikës së Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Në takim u trajtuan çështjet jetike për banorët shqiptarë të veriut të vendit, siç janë: lëvizja e lirë, punësimi dhe mirëqenia e të gjithë qytetarëve në këtë pjesë të vendit.
Kryekuvendari dhe asamblistët shqiptarë nga komunat veriore biseduan për pjesëmarrjen e qytetarëve në institucionet komunale në veri, mundësinë e kthimit të qytetarëve në pronat e veta dhe respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Asamblistët shqiptarë në këto komuna e kanë prioritet vazhdimin e ndërtimit të shtëpive në veri, kthimin e qytetarëve në pronat e veta, rritjen e shkallës së punësimit të qytetarëve shqiptarë në institucionet komunale në komunat veriore, shtimin e subvencioneve për bujqësi dhe blegtori, si dhe të mos mungojë përkrahja institucionale për këtë pjesë të Republikës së Kosovës.
Bashkëbiseduesit u pajtuan që vizitat e ndërsjella të bëhen më të shpeshta dhe të ngritet niveli i komunikimit të ndërsjellë.