Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Marte, 24.02.2015




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri, të kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar i komisionit, ka raportuar ministri i Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Lutfi Zharku.

Raporti i ministrit Zharku kishte të bënte me Strategjinë e zhvillimit të rrugëve nacionale dhe regjionale në vend si dhe objektivat e Ministrisë lidhur me këtë fushë, përfshirë këtu edhe rrjetin hekurudhorë në Kosovë.

Në fillim të fjalës së tij ministri, Zharku, tha:"Objektiv primar i MI-së në sektorin e infrastrukturës rrugore do të jetë integrimi i rrjetit të transportit të Kosovës, në kuadër të rrjetit të transportit të Evropës Juglindore". Në vijim, ai sqaroi se në këtë rrjet të transportit janë të përfshira këto rrugë: drejtimi rrugor Prishtinë-Hani i Elezit, i njohur si drejtimi R-6, drejtimi R-7 Morinë- Prishtinë - Merdarë, drejtimi N-9 Prishtinë - Pejë dhe ai N-2 Prishtinë -Mitrovicë. Në këtë rrjet, tha më tej ministri, është përfshirë edhe linja hekurudhore 10, Leshak- Hani i Elezit dhe Aeroporti Ndërkombëtar "Adem Jashari" i Prishtinës. Duke folur për projektet, të cilat pritet të realizojë MI-ja, ai tha: "Projekti më madhor aktual i kësaj ministrie është ai i Autostradës Prishtinë- Hani i Elezit, i cili ka filluar në korrik të vitit 2014". Duke dhënë hollësi rreth këtij projekti, ministri njoftoi se kontrata lidhur me të është nënshkruar në mes të MI-së dhe kompanisë "Behtel &Enka" në vlerë prej 599 milion euro e 944 mijë e 263 e 55 cent, në të cilën vlerë është e përfshirë edhe TVSH-ja. Gjatësia e përgjithshme e projektit, njoftoi në vijim ai, është 60 km, kurse afati i përfundimit të projektit është 42 muaj. Duke dhënë hollësi rreth projektit, ministri Zharku njoftoi se ai është i ndarë në tri seksione. "Aktualisht punët janë duke u kryer në segmentin e parë të cilat përfshijnë hapjen e trasesë, mbushjen e saj dhe dislokimin e instalimeve të kompanive publike, siç janë KEK-u, Ujësjellësi Rajonal i Prishtinës si dhe rrjeti i Hidrosistemit "Ibër Lepenc", tha ai. Ministri po ashtu bëri të ditur se deri më tani janë hapur 8.5 km trase të këtij projekti.

Në vijim ai foli edhe për segmentin e rrugës, R-7 Morinë- Prishtinë - Merdarë, për të cilin tha se MI-ja, në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bankën e Investime Evropiane, do të kryejë studimin e fizibilitetit dhe plotësimin e projektit preliminar për segmentin Besi-Merdare, pas përfundimit të të cilit do të fillohet me realizimin e projektit në gjatësi pre 22 km.

Ai po ashtu nioftoi edhe për projektet e tjera që janë duke u realizuar, siç është ai i rrugës Prishtinë - Gjilan -Dheu i Bardhë, Prishtinë -Pejë, Prishtinë - Mitrovicë, ndërsa u shpreh i bindur se gjatë këtij viti do të përfundojnë punimet deri në fshatin Stanofc, pjesë e segmentit të rrugës Prishtinë - Mitrovicë.

Përpos kësaj, ai njoftoi edhe për projektet e reja të ndërtimit të rrugëve regjionale. Me këtë rast, ai përmendi zgjerimin e rrugës Prishtinë - Podujevë, rrugën, Komoran - Drenas- Skenderaj, rrugën Deçan- kufiri me malin e zi e të tjera.

Në fund, ministri Zharku u shpreh:"MTI-ja do të jetë e përkushtuar edhe në rehabilitimin e rrugëve rajonale dhe regjionale".

Pas kësaj, ministri u është përgjigjur edhe pyetjeve të anëtarëve të komisionit, të cilët e siguruan atë për bashkëpunim dhe mbështetje të pakursyer.

 

 

 Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...