Lajmet e fundit

Kryetari i Parlamentit të Suedisë, Ahlin, takoi edhe përfaqësues të opozitës:Kurti dhe Kadaj –Bujupi

E Hënë, 23.02.2015




Në kuadër të vizitës në Kosovë, kryetari i Parlamentit të Suedisë, Urban Ahlin, ka takuar sot edhe përfaqësues të opozitës: z. Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe znj. Donika Kadaj-Bujupi, kryetare e Grupit Parlamentar të AAK-së .

Në takimin, i cili është mbajtur në zyrat e Kuvendit të Republikës së Kosovës, kreun e legjislativit suedez e kanë shoqëruar deputetët në Parlamentin e Suedisë:Adnan Dibrani dhe Andreas Norlén, si dhe ambasadori suedez në Maqedoni Mats Staffansson e ai në Kosovë, .Henrik Nilsen.


Kurti e njoftoi z. Ahlin, për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, për gjendjen socio-ekonomike, dhe për çështjen e emigrimit të qindra-mijëra qytetarëve të Kosovës. "Shtatë vjet pas shpalljes së pavarësisë, papunësia gjithnjë në rritje dhe Mitrovica përherë e ndarë po e testojnë mbijetesën e shtetit të Kosovës", tha Kurti.


Znj.Kadaj-Bujupi, ndërkaq, theksoi që pakënaqësia në Kosovë është akumuluar me vite për shkak të padrejtësive të shumta dhe mungesës së zhvillimit. "Kur kësaj pakënaqësie iu shtua edhe zhgënjimi i madh për faktin që Mustafa iu bashkua Thaçit, rezultoi ikja masive e qytetarëve", shtoi ajo.


Në këtë takim është diskutuar edhe për shumë çështje të tjera, si: EULEX-in, korrupsionin, Gjykatën Speciale, bisedimet me Serbinë, ndikimet ndërkombëtare në politikën kosovare etj.

 

Kryetari i Parlamentit të Suedisë, Ahlin, takoi edhe përfaqësues të opozitës: