Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion...
E Hënë, 23.02.2015
Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, të kryesuar nga kryetarja e Komisionit, Albulena Haxhiu, u diskutua lidhur me formimin e Nën-komisionit për Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit. Me këtë rast, anëtarët e Komisionit mbështetën formimin e këtij nën-komisioni, ndërkaq kërkuan nga grupet parlamentare që deri të mërkurën të procedojnë listën me emra për anëtarë të këtij nën-komisioni.
Në vijim anëtarët e komisionit formuan grupin punues lidhur me mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Tutje, anëtarë të komisionit diskutuan edhe lidhur me nismën e Komisionit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, me theks të veçantë për ndryshimin e një neni që ka të bëjë me Avokatin e Popullit, sipas kërkesës së këtij institucioni.
Me këtë rast Komisioni u dakordua që kjo pikë e rendit të ditës të diskutohet në mbledhjen e radhës , në mënyrë që për këtë çështje të ftohen edhe përfaqësues të Avokatit të Popullit dhe të Gjykatës Kushtetuese.