Lajmet e fundit

Nënkryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe ajo e Komisionit për Integrime Evropiane, takuan kryeparlamentarin suedez, Urban Ahlin

E Hënë, 23.02.2015




Nënkryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, e shoqëruar nga nënkryetari i dytë i Komisionit, Çerim Bajrami, si dhe nënkryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Valdete Bajrami, u takuan sot me kryetarin e Parlamentit të Suedisë, Urban Ahlin dhe delegacionin të cilit i printe.

Gjatë këtij takimi, mysafirët u njoftuan për angazhimet nga fushëveprimtaria e këtyre komisioneve.

Nënkryetarja, Rugova dhe Bajrami, vunë në pah përpjekjet për harmonizimin e legjislativit të vendit me atë të BE-së, ndërkaq vlerësuan ndihmën e deritashme të Suedisë, për të cilën i falënderuan mysafirët.

Duke folur për sfidat që ka vendi, nënkryetaret e këtyre komisioneve, e njoftuan kryeparlamentarin suedez, Ahlin, se gjendja e rëndë ekonomike, mosliberalizimi i vizave, investimet e pakta nga jashtë, si dhe korrupsioni, kanë ndikuar në gjendjen e rëndë të qytetarëve, të cilët pakënaqësitë e tyre kanë filluar t'i shfaqin edhe nëpërmjet migrimit masiv drejt shteteve të BE-së.

Për gjendjen e komunitetit boshnjak në Kosovë, mysafirët nga Suedia u njoftuan nga nënkryetari i dytë i Komisionit për Integrime Evropiane, Çerim Bajrami. Ai tha se komuniteti që ai përfaqëson është i kënaqur me trajtimin që i bëhet atij nga ana e Qeverisë, ndërkaq, vlerësoi se gjendja e rëndë ekonomike ka shkaktuar pakënaqësi dhe migrim ilegal të këtij komuniteti.

Kryetari i Parlamentit të Suedisë, Urban Ahlin, falënderoi nikoqirët për mikpritjen, ndërsa vlerësoi të arriturat e deritashme të vendit tonë. Ai tha se ndjen keqardhje për mosliberalizimin e deritashëm të vizave, ndërsa vlerësoi se Qeveria e Kosovës duhet të punojë me më shumë përkushtim në përmbushjen e kritereve për të arritur këtë qëllim.

Në fund të fjalës së tij, kryeparlamentari suedez, Ahlin, tha se Suedia mbetet e përkushtuar në mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj të integrimit.

 

 

Nënkryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe ajo e Komisionit për Integrime Evropiane, takuan kryeparlamentarin suedez, Urban Ahlin