Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Hënë, 23.02.2015
Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet në seancë plenare të enjten, më 26 shkurt, në orën 10:00, në të cilën do të shqyrtojë disa propozime.
Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetari i Kuvendit, z. Kadri Veseli.
Pas pikave të zakonshme, koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, Kuvendi do të shqyrtojë propozimet për emërimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe të një anëtari të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës, si dhe do të formojë Komisionin ad hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Në mbledhjen e sotme Kryesia miratoi kërkesën e Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës për mbajtjen e një seance të përbashkët me gratë deputete nga Shqipëria, Maqedonia, si dhe politikanet nga Presheva dhe Mali i Zi, me rastin e 8 Marsit.
U miratuan, gjithashtu, edhe disa kërkesa të tjera për pjesëmarrje të deputetëve në organizime të ndryshme ndërkombëtare.