Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Veseli priti kryetarin e Parlamentit të Suedisë, Urban Ahlin
E Hënë, 23.02.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, i shoqëruar nga nënkryetarët e Kuvendit, priti sot në takim kryetarin e Parlamentit të Suedisë, Urban Ahlin, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë në krye të një delegacioni parlamentar suedez, ne mesin e të cilit edhe deputeti me origjinë nga Kosova, Adnan Dibrani.
Të dy homologët biseduan për raportet e mira që parlamentet e të dyja vendeve kanë ndërmjet tyre, ndërsa u shtrua nevoja që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej në të gjitha nivelet e jetës parlamentare, posaçërisht në fushën e komisioneve dhe të administratave.
Duke i uruar kreut të Parlamentit të Suedisë mirëseardhje në Kosovë dhe në Kuvendin e saj, kryeparlamentari Veseli falënderoi kryetarin Ahlin për mbështetjen e vazhdueshme ushtarake, politike e ekonomike të shtetit suedez për Kosovën në të gjitha fazat, si dhe në aspektin e zgjerimit të njohjes ndërkombëtare të Kosovës e të procesit të integrimit evropian. Z. Veseli çmoi lart marrëdhëniet e deritashme ndërmjet dy vendeve, përkatësisht ndërmjet parlamenteve dhe avancimin e tyre gjatë viteve, por shtoi se ka rrugë dhe mundësi të tjera për ta rritur më tej këtë bashkëpunim. Kreu i legjislativit të vendit e konsideroi të vyer për Kosovën dhe Kuvendin e saj përvojën e gjatë demokratike e parlamentare të Suedisë, praktika të të cilës, konform rrethanave, mund të jenë të zbatueshme në vendin tonë.
Kreu i Kuvendit të Kosovës e njoftoi kryeparlamentarin Ahlin edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë, me punën në procesin e liberalizimit të vizave, përpjekjet për njohje të reja dhe anëtarësim në një varg organizatash ndërkombëtare.
Nga ana e tij, kryetari i Parlamentit të Suedisë, Urban Ahlin, vizitën e tij në Kosovë dhe në Kuvendin e saj, e konsideroi një mundësi për të kontribuar më shumë në forcimin dhe avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve që tashmë të dy shtetet dhe parlamentet respektive kultivojnë ndërmjet tyre. Z. Ahlin vlerësoi lart hapat zhvillimorë që ka bërë Kosova në të gjithë fushat, ndërsa shprehu gatishmërinë e shtetit të tij për ta vazhduar mbështetjen për Kosovën edhe në të ardhmen.
"Ne si shtet i Suedisë, i qëndrojmë ende prapa Kosovës dhe dëshirojmë ta përkrahim atë në të gjitha proceset e saj", theksoi z. Ahlin.