Lajmet e fundit
Ministri i Diasporës, Murati, raportoi në Komisionin për Punë të Jashtme
E Premte, 20.02.2015
Ministri për Diasporë dhe Mërgatë në Qeverinë e Kosovës, Valon Murati, i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, për të ka raportuar për aktivitetet që po i realizon Ministria, si dhe për planet dhe sfidat për përmbushjen e objektivave strategjike .
Duke e falënderuar ministrin Murati për gatishmërinë e tij për të raportuar , kryetari i Komisionit, Enver Hoxhaj, i cili e ka drejtuar takimin, ka vlerësuar si shumë të rëndësishme qasjen gjithëpërfshirëse të institucioneve ndaj pjesëtarëve të mërgatës sonë në vende të ndryshme të botës.
Ministri i Diasporës dhe Mërgatës, Valon Murati, në fjalën e tij ka theksuar se bazuar në Ligjin për Diasporën dhe Mërgatën dhe Planin e veprimit për zbatimin e Strategjisë për Diasporën dhe Mërgatën 2013-2018, ministria të cilën e drejton ka ndërmarrë veprime e aktivitetet të shumta për përmbushjen e objektivave të parapara, sidomos të atyre me prioritet, siç janë: promovimi dhe avancimi i të drejtave politike dhe sociale të diasporës, ruajtja e identitetit dhe fuqizimi i lidhjeve me njerëzit tanë nëpër botë, integrim i pjesëtarëve të diasporë në shtetet ku jetojnë dhe lehtësimi i përfshirjes së diasporës në zhvillimin socio- ekonomik .
"Mërgata dhe diaspora jonë në botë mund të luajnë rol të rëndësishëm për zhvillimin e vendit dhe afirmimin ndërkombëtar të kulturës sonë", ka theksuar Murati, duke i kushtuar vëmendje krijimit të kushteve për raporte sa më të afërta ndërmjet Atdheut dhe njerëzve tanë nëpër botë. Në këtë mes ai ka pohuar se bashkë me ministritë e arsimit dhe të kulturës në Kosovë dhe Shqipëri është duke u punuar ngushtë për organizimin e mësimit plotësues të shqipes nga fëmijët e mërgatës sonë, duke theksuar faktin që, për epokën moderne të ditëve të sodit, nevojiten mënyra tepër të sofistikuar për ta kultivuar dashurinë dhe nevojën për ta ditur sa më mirë gjuhën amtare. Si shembuj të mirë të organizimit të mësimit të shqipes, për nxënësit nga familjet e mërgimtarëve tanë, ministri ka përmendur vendet skandinave, sidomos Suedinë dhe Finlandën, ku të gjitha shpenzimet për këtë mësim i mbulojnë institucionet e shtetit, kurse ka pohuar se kushte të mira për mësim plotësues të shqipes ofrojnë edhe Austria dhe Kroacia.Nevojitet shumë punë dhe aktivitete , jo vetëm i kësaj ministrie, për ta bërë sa më të lehtë dhe më pak të kushtueshëm organizimin e mësimit plotësues, në shumë vende të tjera, ka theksuar ministri.
"Janë krijuar shoqata të ndryshme kulturore, të cilat jo vetëm do të krijojnë dhe do të kultivojnë vlera kulturore kombëtare, por do të kenë edhe rol shumë të rëndësishëm për promovimin e kulturës sonë që krijohet në Kosovë, Shqipëri, e në vise të tjera etnike shqiptare në Ballkan, por edhe vlerat kulmore të shumë mërgimtarëve tanë në ende të ndryshe të botës.", ka thënë Murati.
Duke folur për mundësitë e mëdha , ende të pashfrytëzuara të diasporës dhe të mërgatës sonë , Murati ka pohuar se janë bërë rrjetëzime të ndryshme profesionale të mërgimtarëve tanë, duke i yshtur vazhdimisht ata të regjistrohen si pjesëtarë të mërgatës sonë, të mbajnë lidhje me Atdheun dhe, nëpërmjet investimeve të tyre, t'i ndihmojnë edhe zhvillimit ekonomik të vendit. " Mërgata jonë tanimë ka bërë ekspertizë në fusha të ndryshme profesionale , në biznes, në shkencë, në kulturë e sport, andaj, si e tillë përfaqëson një potencial shumë të rëndësishëm për vendin tonë", ka përfunduar Murati, i cili u është përgjigjur edhe pyetjeve të shumta të deputetëve pjesëmarrës në takim, që lidheshin me aspekte të ndryshme të ekzistencës së mërgatës sonë, përfshirë edhe shqetësimeve të shtruara për fluksin e madh, kohëve të fundit, të mërgimit ilegal të qytetarëve tanë nga Kosova.
Anëtarët e komisionit e kanë vlerësuar shumë të mirë prezantimin e ministrit Murati para deputetëve dhe e kanë lavdëruar atë për fillimin e mbarë të punës në krye të ministrisë që e drejton.